spurgeon dev 26 dhjetor pm
Dhjetor 2023

“Unë jam me ju gjithë ditët.”

Mateu 28:20

Zoti Jezus ndodhet mes popullit të Tij; Ai ecën mes shandanëve të artë; ky është premtimi i Tij: “Ja, unë jam me ju gjithë ditët.” Nuk ka dyshim që Ai është me ne tani, ashtu siç ishte me disheput e Tij buzë liqenit kur ata panë një zjarr me prush dhe mbi të peshq që përgatiteshin për vaktin e mëngjesit. Megjithëse jo fizikisht, Jezusi është përnjëmend mes nesh. Sa e vërtetë e rëndësishme është kjo, sepse dashuria ndizet zjarr aty ku gjendet Jezusi. Nga të gjitha gjërat e kësaj bote që mund ta ndezin një zemër, nuk ka asgjë që mund të krahasohet me praninë e Jezusit! Nje shikim i shpejtë i Tij na prek kaq fort, saqë jemi gati të themi: “Largoji sytë e Tu nga unë, sepse ndihem i pushtuar prej tyre”. Madje edhe aroma e aloes, mirrës dhe kanellës që shpërhapet nga rrobat e Tij erëmira, i bën të sëmurët dhe të ligështuarit të forcohen.

Mjafton që ta mbështesim kokën mbi atë kraharor të hirshëm, duke e mirëpritur dashurinë e Tij hyjnore në zemrat tona të akullta e të mjera, dhe befas nuk jemi më të ftohtë, por shkëlqejmë si serafimët, duke u bërë kështu të përgatitur për çdo detyrë dhe të aftë për të duruar çdo vuajtje. Nëse e dimë që Jezusi është me ne, çdo fuqi do të shtohet dhe çdo hir do të forcohet, dhe madje do ta japim veten në shërbim të Zotit me zemrën, shpirtin dhe forcën tonë; prandaj, prania e Krishtit duhet dëshiruar më shumë se çdo gjë tjetër. Praninë e Tij do ta përjetojnë më së shumti ata që janë më të ngjashëm me Të.

Në qoftë se dëshiron ta shohësh Krishtin, duhet të bëhesh i ngjashëm me Të. Me anë të fuqisë së Frymës, bashkoju Krishtit në dëshirat, motivet dhe planet e Tij të veprimit, dhe atëherë do të kesh më shumë gjasa që të favorizohesh me shoqërinë e Tij.

Kujtoji vetes se prania e Tij mund të shijohet. Premtimi i Tij është po aq i vërtetë sot, sa edhe përherë. Atij ia ka ënda të qëndrojë me ne. Në qoftë se nuk vjen, kjo ndodh sepse e pengojmë me indiferencën tonë. Ai do t’u zbulohet lutjeve tona të sinqerta dhe do të lejojë plot hir që përgjërimet tona dhe lotët tanë ta bëjnë atë të qëndrojë me ne, sepse këta janë zinxhirët e artë që e lidhin Jezusin me popullin e Tij.


Devocione “Mëngjes dhe mbrëmje” nga C. H. Spurgeon, rishikuar dhe përditësuar nga Alistair Begg.

Përktheu: Elton Tahirllari | Redaktoi: Rudina Boçe

© dritez.al 2023


EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mbrëmje – Besimtar sa për emër apo zotërues i vërtetë i besimit
30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>