“Ju prisnit shumë, por në realitet keni pasur pak; pastaj, kur e keni çuar në shtëpi, unë e shpërndava. Përse?”, thotë Zoti i ushtrive, “për shkak të tempullit tim që është i rrënuar, ndërsa secili prej jush rend në shtëpinë e vet.”
Hagai 1:9
Shpirtrat kurnacë e shtrëngojnë dorën kur vjen puna për të dhënë për shërbesat dhe veprat misionare, dhe thonë se kështu po bëjnë ekonomi; mirëpo, ata nuk e dinë se, në fakt, duke vepruar kështu vetëm sa e varfërojnë veten. Shfajësohen duke thënë se u duhet të kujdesen për familjet e tyre, por harrojnë se shpërfillja e treguar ndaj shtëpisë së Perëndisë është një mënyrë e sigurt për të sjellë rrënim mbi vatrat e tyre. Perëndia ynë ka një metodë në provaninë e Tij, përmes së cilës mund t’i bëjë përpjekjet tona të suksesshme përtej pritshmërive tona, ose mund t’i shkatërrojë planet tona duke na shushatur e zhgënjyer. Pra, me një të kthyer të dorës, mund ta shtyjë anijen tonë drejt kanalit të mbrothësisë, ose ta bëjë të ngecë në një cekëtinë skamjeje dhe falimentimi. Shkrimi na mëson se Zoti i pasuron zemërgjerët, ndërsa duarshtrënguarit i lë të zbulojnë se koprracia të çon në skamje.
Nga vëzhgimet e mia të gjithanshme, kam vënë re se të krishterët më bujarë që kam njohur, kanë qenë përherë më të lumturit, dhe pothuajse pa përjashtim, edhe më të begatët. E kam parë dhënësin bujar të fitojë pasuri të tilla, të cilat ai as që i ëndërronte; por e kam parë edhe shpirtin kurnac e dorështrënguar të bjerë në skamje për shkak të vetë kurnacërisë, me anë të së cilës mendonte se do të pasurohej. Njerëzit u besojnë administratorëve të mirë shuma gjithnjë e më të mëdha parash, dhe kështu ndodh shpesh edhe me Zotin; Ai u jep me thasë atyre që japin me grushte. Aty ku pasuria është e vogël, atë pak që është dhënë, Zoti e shton me anë të kënaqësisë që ndien zemra e shenjtëruar në pjesën që i ka dhënë Ai, e dhjeta e së cilës i është përkushtuar Zotit.
Egoizmi e hedh vështrimin së pari brenda mureve të shtëpisë, por perëndishmëria kërkon më së pari mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e Tij; e megjithatë, me kalimin e kohës, egoizmi shkakton vetëm dëm, ndërsa perëndishmëria sjell dobi të madhe. Duhet besim për t’u treguar bujar me Perëndinë, por pa dyshim që Ai e meriton këtë prej nesh; dhe gjithçka që mund të bëjmë, është që thjesht të pranojmë borxhin marramendës që i kemi mirësisë së Tij.
© dritez.al 2024