spurgeon dev 26 pm
October 2023

Gjithë lumenjtë derdhen në det, por deti nuk mbushet kurrë; nga vendi prej të cilit lumenjtë vijnë, aty kthehen, përsëri.

Predikuesi 1:7

Gjithçka mbi tokë është në lëvizje; koha nuk pushon asnjëherë së rrjedhuri. Toka e fortë [që shkelim me këmbë] është një top rrotullues, ndërsa vetë dielli i madh është një yll që, pa bërë zë, ndjek trajektoren e vet rreth një ndriçuesi më të madh. Baticat e afrojnë apo e largojnë detin; erërat i trazojnë flladet sipër oqeanit; forca e fërkimit e konsumon shkëmbin: ndryshimi dhe vdekja mbretërojnë kudo. Deti nuk është si sënduku i kurnacit për të ruajtur një pasuri ujërash, sepse ashtu si falë një force, ujërat rrjedhin drejt tij, falë një tjetre, ato ngrihen përsëri lart në qiell.

Njerëzit lindin për të vdekur: gjithçka [që u ndodh mes këtyre çasteve] është nxitim, shqetësim dhe mundim zemre. Mik i Jezusit që nuk ndryshon kurrë, sa i madh është gëzimi që të pushton tek mendon për trashëgiminë tënde të pandryshueshme dhe për detin e lumturisë sate që do të jetë përherë i mbushur plot, meqenëse Vetë Perëndia do ta mbushë atë me lumenj të përjetshëm kënaqësie! Kërkojmë një qytet të përjetshëm përtej qiejve, dhe nuk do të zhgënjehemi. Pasazhi që kemi përpara, duhet të na mësojë të jemi mirënjohës.

Oqeani është një marrës madhështor, por edhe një shpërndarës bujar. Prurjet e lumenjve, ai ia kthen tokës në formën e reve dhe të shiut. Nuk ka asgjë të përbashkët mes gjithësisë dhe njeriut që vetëm merr dhe nuk jep. T’u japësh të tjerëve nuk është gjë tjetër veçse të mbjellësh farën për vete. Administratorit shumë të mirë, që është i gatshëm ta përdorë pasurinë e vet për Zotin, do t’i jepet edhe më shumë. Mik i Jezusit, a po ia shlyen Atij të mirat që të ka bërë, sipas përfitimit të nxjerrë? A të është dhënë shumë? Ku është fryti yt? A ke bërë gjithçka që mundesh? A mund të bësh edhe ca më tepër?

Të jesh egoist do të thotë të jesh i lig. Le ta zëmë se oqeani nuk do të jepte më asnjë pikë nga thesari i tij ujor; një gjë e tillë do të sillte shkatërrim mbi racën tonë. Mos e dhëntë Zoti që ndonjëri prej nesh të jepet pas një stili jete shkatërrimtar dhe dorështrënguar që ka vetveten në qendër! Jezusi nuk kënaqi Veten. Tek Ai banon trupërisht gjithë plotësia dhe ne të gjithë morëm prej saj. Oh, sa mirë do të ishte sikur të ishim si Jezusi dhe të mos jetonim më vetëm për vete!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>