Rrinte midis shkurreve të mërsinave në një gropë të thellë.
Zakaria 1:8
Vegimi në këtë kapitull përshkruan gjendjen e Izraelit në ditët e Zakarias; por nëse do ta interpretonim në lidhje me ne, vërejmë se ai e përshkruan Kishën e Perëndisë, ashtu siç e gjejmë sot në botë. Kisha krahasohet me një zabel mërsinash që harliset në një gropë të thellë.
Është e fshehur, nuk vihet re, nuk kërkon lavdi dhe nuk tërheq vëmendjen e atij që e vështron kalimthi. Porsi Kreu i saj, edhe kisha ka lavdinë e saj, por kjo është e fshehur për sytë e mishit, sepse nuk ka ardhur ende koha kur ajo të shfaqet me gjithë shkëlqimin e vet.
Po ashtu, ky varg na përçon idenë e sigurisë plot paqe, sepse zabeli i mërsinave në gropën e thellë prehet në paqe e qetësi, edhe atëherë kur stuhia pushton majat e maleve. Stuhitë e harxhojnë fuqinë e tyre mbi majat e thyera të Alpeve, por aty poshtë ku rrjedh lumi që e gëzon qytetin e Perëndisë tonë, mërsinat harlisen pranë ujërave të qeta dhe janë të patrazuara nga era e furishme. Sa e madhe është qetësia e brendshme e Kishës së Perëndisë! Madje edhe mes konflikteve dhe përndjekjeve, ajo ka një paqe që bota nuk e jep dot dhe që, për rrjedhojë, as nuk mund ta heqë dot: paqja e Perëndisë që ia tejkalon çdo zgjuarsie, i ruan zemrat dhe mendjet e popullit të Perëndisë.
A nuk na e zgjon përfytyrimin kjo metaforë për të imagjinuar rritjen e vazhdueshme e në paqe të shenjtorëve? Mërsinës nuk i bien kurrë gjethet—ajo mbetet përherë e gjelbër; po kështu, edhe kisha, në kohët e veta më të errëta, ende është e mbuluar me një gjelbërim të bekuar hiri; në të vërtetë, disa herë, ajo ka shfaqur më shumë gjelbërim, pikërisht atëherë kur dimri i saj ka qenë më i ashpër. Ajo ka pasur më shumë mbrothësi, sidomos atëherë kur vështirësitë kanë qenë më të ashpra.
Ky varg i bën aluzion edhe fitores. Mërsina është simboli i paqes dhe një emblemë domethënëse e triumfit. Balli i fitimtarëve kurorëzohej me mërsina dhe dafina; dhe a nuk është edhe kisha përjetësisht ngadhënjimtare? A nuk është çdo i krishterë më shumë sesa një fitimtar falë Atij që e deshi? Duke jetuar në paqe, a nuk bien të flenë shenjtorët në krahët e fitores?
© dritez.al 2024