spurgeon dev 26 shtator pm
September 2023

Vajto, selvi, sepse cedri ka rënë.

Zakaria 11:2

Kur në pyll dëgjohet zhurma e përplasjes në tokë të lisit që bie, kjo është një shenjë që druvari është aty afër, dhe çdo peme që gjendet rreth e përqark, mund t’i hyjë druajtja se mos tehu i mprehtë i sëpatës ngulet edhe në trungun e saj të nesërmen. Të gjithë jemi si drurë të shënuar për prerje, dhe rënia e njërit duhet të na kujtojë që për secilin, qoftë aq madhështor sa cedri, apo aq i vogël sa selvia, ora e caktuar po afrohet me shpejtësi.

Nuk besoj se, duke dëgjuar shpesh për vdekjen, bëhemi të pandjeshëm ndaj saj. Mos qofshim kurrë si zogjtë majë kambanores, të cilët i ngrenë foletë e tyre kur bien kambanat dhe flenë qetësisht kur kumbimet solemne funebre tronditin ajrin! E konsiderofshim vdekjen si më të rëndën e të gjitha ngjarjeve dhe na bëftë esëll afrimi i saj! Nuk na shkon për shtat që të tallemi kur fati ynë i amshuar varet në fije të perit. Shpata ka dalë nga milli—le të mos merremi me gjëra të kota; ajo është bërë gati dhe tehu i saj është i mprehur mirë—le të mos luajmë me të! Ai që nuk përgatitet për vdekjen, është më shumë sesa një budalla i zakonshëm—ai është një i marrë. Kur zëri i Perëndisë dëgjohet mes pemëve të kopshtit, mos mbettë pemë fiku a panje, vidhi a cedri pa e dëgjuar atë!

Ji gati, shërbëtor i Krishtit, sepse Zoti yt vjen befas, atëherë kur bota jobesimtare më së paku e pret Atë! Bëj kujdes që të jesh besnik në punën e Tij, sepse shpejt do të ta gërmojnë varrin! Prindër, jini  gati! Bëni kujdes që fëmijët tuaj të rriten në frikën e Perëndisë, sepse shpejt do të mbeten jetimë! Ju biznesmenë, jini gati! Sigurohuni që t’i vini në vijë punët tuaja dhe që t’i shërbeni Perëndisë me gjithë zemër, sepse ditët e shërbesës suaj tokësore janë në të mbaruar, dhe do t’ju thërrasin të jepni llogari për veprat që bëtë kur ishit në trup, qofshin këto të mira a të këqija! Le të gatitemi të gjithë për të dalë përpara gjyqit të Mbretit të madh me një përkujdesje që do të shpërblehet me lavdërimin e hirshëm: “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik” (Mateu 25:21).


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>