“Shpëtimi i përket ZOTIT.”
Jona 2:10
Shpëtimi është vepra e Perëndisë. Është vetëm Ai që e ngjall shpirtin e “vdekur në shkelje e mëkate” (Efesianëve 2:1) dhe është Ai që e ruan shpirtin gjatë jetës frymëore. Ai është edhe “Alfa dhe Omega”.
“Shpëtimi i përket ZOTIT.” Nëse unë jam një njeri i lutjes, është Perëndia Ai që më ka bërë të tillë; nëse kam virtyte, ato janë dhuratat e Perëndisë për mua; nëse jetoj një jetë të qëndrueshme, e bëj këtë, sepse Ai më mban në duart e Tij. Unë nuk bëj asgjë për ta ruajtur veten, përveç asaj që vetë Perëndia bën, së pari, në mua. Çfarëdo që kam, gjithë mirësia ime, i takon vetëm Zotit. Sa herë që mëkatoj, mëkati është vepër imja; por kur veproj drejt, kjo është plotësisht dhe tërësisht merita e Perëndisë. Nëse kam zmbrapsur ndonjë armik frymëror, e kam bërë këtë, sepse fuqia e Perëndisë ma forcoi krahun.
A jetoj një jetë të përkushtuar përpara njerëzve? Nuk jam unë, por Krishti që jeton në mua. Vallë, a jam shenjtëruar? Nuk e pastrova unë veten, por Perëndia Frymë e Shenjtë më shenjtëron. A jam veçuar nga bota? Po, jam veçuar me anë të ndreqjeve nga Perëndia, të cilat janë caktuar për të mirën time. A rritem në njohuri? Po, sepse Mësuesi i madh më mëson. Të gjithë gurët e mi të çmuar u punuan prej artit hyjnor. Gjithçka që dua dhe më duhet, e gjej te Perëndia, por brenda vetes nuk gjej veçse mëkat dhe mjerim. “Vetëm ai është kështjella ime dhe shpëtimi im” (Psalmi 62:2).
A ushqehem me Fjalën? Ajo Fjalë nuk do të ishte ushqim për mua, po të mos e kishte bërë Zoti ushqim për shpirtin tim dhe po të mos më ndihmonte Ai, që të ushqehesha me të. A jetoj unë falë bukës që bie nga qielli? Çfarë është ajo bukë, përveçse vetë Jezu Krishti i trupëzuar, trupin dhe gjakun e të cilit unë e ha dhe e pi? A jam duke marrë vazhdimisht furnizime të reja fuqie? Ku e gjej forcën time? Ndihma ime vjen nga kodrat e qiellit: pa Jezusin nuk mund të bëj asgjë.
Ashtu si shermendi nuk mund të japë fryt nga vetja, po qe se nuk qëndron në hardhi, as unë nuk mund të jem i frytshëm, po qe se nuk qëndroj në Të. Atë që Jona e mësoi në det, le ta mësoj këtë mëngjes në kthinën time: “Shpëtimi i përket ZOTIT.”
© dritez.al 2024