Shkurt 2023

“Prifti do ta shqyrtojë; dhe në qoftë se lebra ka mbuluar tërë trupin e tij, do ta shpallë të pastër atë që ka plagën.”

Levitiku 13:13

Edhe pse kjo rregull mund të duket e çuditshme, prapëseprapë kishte urtësi në të, sepse shpallja nga prifti, që ai ishte i pastër, vërtetonte që personi ishte i shëndetshëm. Sonte do të bënim mirë të mësonim prej kësaj rregulle, për dobinë tonë. Edhe ne jemi lebrosë në njëfarë kuptimi dhe mund ta lexojmë ligjin për lebrosin si të zbatueshëm edhe për veten tonë. Kur dikush e sheh veten si plotësisht të humbur dhe të rrënuar, të mbuluar kokë e këmbë nga ndyrësia e mëkatit, pa asnjë gjymtyrë të pastër prej ndotjes; kur ky person e hedh poshtë gjithë drejtësinë e vet dhe pranon që është fajtor përpara Zotit, atëherë, ai pastrohet falë gjakut të Jezusit dhe hirit të Perëndisë. 

Paudhësia  e fshehur, e parrëfyer dhe për të cilën nuk jemi penduar, është lebra e vërtetë e shpirtit; por kur mëkati shihet dhe pranohet, ai ka marrë një goditje vdekjeprurëse, duke bërë që Zoti ta shohë me sytë e mëshirës shpirtin e munduar prej tij. Nuk ka asgjë më vdekjeprurëse sesa vetëdrejtësia, apo më shpresëdhënëse sesa pendesa. Duhet të rrëfejmë se nuk jemi “asgjë tjetër përveç mëkatit”, sepse asnjë rrëfim tjetër përveç këtij nuk do të ishte e vërteta e plotë. Në fakt, në qoftë se Fryma e Shenjtë punon në ne, duke na bindur për mëkatin tonë, nuk do ta kemi aspak të vështirë për ta pranuar këtë, sepse do të dalë vetvetiu nga buzët tona. 

Sa shumë i ngushëllon vargu në fjalë mëkatarët që janë ngritur nga gjumi: vetë rrethana që u shkaktoi kaq e kaq shkurajim, është kthyer këtu në një shenjë dhe simptomë të një gjendjeje shpresëdhënëse! Hapja e themeleve është hapi i parë kur bëhet një ndërtim—një ndjesi tërësore për mëkatin është një nga veprat e para të hirit në zemër. Mëkatarët lebrosë, të vetëdijshëm për gjendjen e tyre, duhet të marrin zemër nga vargu dhe të paraqiten ashtu siç janë përpara Zotit Jezus.

Të mëdha a të vogla qofshin borxhet tona,
Me të pranuar që s’kemi me se t’i paguajmë, Zoti ynë na i fal të gjitha.
Vetëm varfëria e përsosur e çliron shpirtin:
Edhe sikur të themi se po japim qoftë edhe një qindarkë nga vetja, nuk kemi falje të plotë.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin