spurgeon dev 26 qershor am
Qershor 2023

Dhe je bërë i ngjashëm me ne.

Isaia 14:10

Cili do të jetë vallë fati i besimtarit besëprerë kur shpirti i tij të paraqitet përpara Perëndisë? Si do ta përballojë vallë atë zë që i thotë se është i dëbuar përjetë nga prania e Tij dhe se nuk do të njohë mëshirë?

“Shporru nga Unë, i mallkuar; ti ke refuzuar njohjen, prandaj edhe unë të refuzoj ty!” Sa i madh do të jetë turpi i këtij të mjeri në ditën madhështore, që do të jetë dita e fundit, kur, përpara turmave pafund, do të demaskohet si një tradhtar i besimit? Pa shih pak paganët dhe mëkatarët të cilët nuk e rrëfyen kurrë besimin, se si ngrihen nga shtretërit e tyre të zjarrtë për ta treguar atë me gisht. “Ja ku është ai”, thotë njëri; “a mos do ta predikojë ungjillin në ferr?” “Ja ku është”, ia pret një tjetër; “ai më qortoi pse flisja me fjalë të ndyra, por paska qenë një hipokrit për vete!” “Aha!”, shton dikush tjetër; “po ky është ai tipi që shkonte tek ajo kisha ku këndohen psalme—ai që nuk linte takim pa marrë pjesë. Madje ai mburrej se e kishte jetën e përjetshme në xhep, dhe ja ku paska përfunduar!”

Nuk besoj se torturuesit satanikë do të shfaqin një zell më të madh në kryerjen e detyrës së tyre, sesa atë ditë kur djajtë ta tërheqin shpirtin e hipokritit poshtë në ferr. Kur flet për shkarjen drejt ferrit, Bunyan-i e përshkruan këtë me madhështinë tronditëse të poezisë. Shtatë djaj e lidhën të mjerin me nëntë litarë dhe e tërhoqën zharg, duke e nxjerrë nga rruga për në qiell, në të cilën ai kishte shpallur se po ecte, dhe pastaj e flakin nga dera e pasme në ferr.

Ruhuni nga dera e pasme e ferrit, o besimtarë! “Hetoni veten tuaj a jeni në besim” (2 e Korintasve 13:5)! Kushtojini vëmendje gjendjes suaj, për të parë nëse jeni në Krishtin ose jo. T’i japësh vetes nota të larta kur korrigjon detyrat e tua, është gjëja më e lehtë në botë. Por jini të vërtetë dhe të drejtë [në gjykimin tuaj]! Tregohuni të hirshëm me të gjithë, por jini të rreptë me veten! Kujtojini vetes se, nëse nuk po ndërtoni mbi shkëmb, shtëpia juaj do të bjerë! Oh, Zoti ju faltë sinqeritet, qëndrueshmëri dhe vendosmëri; por edhe mos ju lëntë që të përmbyseni në asnjë ditë, sado e ligë qoftë ajo!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin