Prill 2022
Emri i Perëndisë shpesh i referohet reputacionit, famës dhe zulmës së Tij. Kjo është mënyra si e përdorim fjalën “emër”, kur themi se dikush po bën emër. Ose ndonjëherë themi se kjo është markë “e njohur” dhe me këtë nënkuptojmë një markë me reputacion të lartë. Kjo është ajo që mendoj kur lexoj për Samuelin te 1 e Samuelit 12:22, i cili thotë se Perëndia e bëri Izraelin një popull “për vete” dhe se Ai nuk do ta dëbonte atë popull “për hir të emrit të Tij të madh”.
Mënyra si ai mendon për zellin e Perëndisë e për emrin e Tij konfirmohet në shumë pasazhe të tjera.
Për shembull, te Jeremia 13:11, Perëndia e përshkruan Izraelin si një brez, apo rrip, me të cilin Perëndia zgjodhi ta vinte në pah lavdinë e Tij, edhe pse kishte raste kur Izraeli ishte përkohësisht i papërshtatshëm. “Sepse ashtu si brezi përputhet me ijët e njeriut, kështu unë kisha bërë që të përputhej me mua tërë shtëpia e Izraelit dhe tërë shtëpia e Judës”, thotë Zoti, “me qëllim që të ishin populli im për famën, lavdinë dhe zulmën time, por nuk deshën të më dëgjojnë.” Pse u zgjodh Izraeli dhe u bë brezi i Perëndisë? Që të mund të ishte një “famë, lavdi dhe zulmë”.
Fjalët “lavdi” dhe “zulmë”, në këtë kontekst, na tregojnë se “emri” do të thotë “famë”, “nam” ose “reputacion”. Perëndia e zgjodhi Izraelin që populli t’i bënte emër Atij. Tek Isaia 43:21, Perëndia thotë se Izraeli është “populli që kam formuar për vete, do të shpallë lëvdimet e mia”.
Kur në Dhiatën e Re, kisha nisi ta shihte veten si Izraeli i vërtetë, Pjetri e përshkruan kështu qëllimin e Perëndisë për ne: “Por ju jeni fis i zgjedhur... që të shpallni lavdinë e atij, që ju thirri nga terri në dritën e tij të mrekullueshme” (1 e Pjetrit 2:9).
E thënë ndryshe, Izraeli dhe kisha janë zgjedhur nga Perëndia për ta bërë Atë me emër në botë. Kjo është arsyeja pse ne më së pari lutemi me forcë: “U shenjtëroftë emri yt” (Mateu 6:9) dhe pse lutemi: “Ai më prin nëpër shtigjet e drejtësisë, për hir të emrit të tij” (shih Psalmin 23:3).
Kur flasim për një popull të përqendruar te Perëndia, mbaj mend se kjo ndodh sepse ne po i bashkohemi Perëndisë në faktin që Ai ka veten në qendër. Tani që jetojmë pas kryqit, do të thotë se jemi njerëz që varemi te Krishti dhe e lartësojmë Atë. “Djema, ju shkruaj sepse mëkatet ju janë falur për shkak të emrit të tij” (1 e Gjonit 2:12). “Dhe çdo gjë që të bëni, me fjalë a me vepër, t’i bëni në emër të Zotit Jezus, duke e falënderuar nëpërmjet tij Perëndinë Atë” (Kolosianëve 3:17).
John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©️ dritez.al 2022