“Bëni këtë në përkujtimin tim.”
1 e Korintasve 11:24
Duket që të krishterët mund ta harrojnë Krishtin! Nuk do të kishte nevojë për këtë nxitje plot dashuri nëse nuk do të ekzistonte një mundësi e frikshme që kujtimet tona të na tradhëtonin. Mirëpo, kjo nuk është thjesht një hamendje, por fatkeqësisht është një fakt i provuar mjaft mirë nga përvoja jonë, jo si një mundësi, por një fakt i vajtueshëm. Duket pothuaj e pamundur që ata të cilët u shpenguan nga gjaku i Qengjit të therur dhe u deshën me një dashuri të përjetshme nga Biri i Perëndisë, të mund ta harrojnë atë Shpëtimtar të hirshëm; mirëpo, megjithëse mund të tingëllojë keq në veshët tanë, fatkeqësisht është një gjë që e kemi parë të ndodhë shpesh dhe që nuk e mohojmë dot. Harrojmë Atë që kurrë nuk na harron! Harrojmë Atë që derdhi gjakun për mëkatet tona! Harrojmë Atë që na deshi deri në vdekje! A mund të jetë e mundur vallë një gjë e tillë? Po, jo vetëm që është e mundur, por ndërgjegjja na rrëfen se fatkeqësisht, ky është një gabim mjaft i përhapur ndër ne që shpesh e trajtojmë Jezusin si një shtegtar, si një bujtës për një natë të vetme. Atë që duhet të jetë një banor i përhershëm i kujtimeve tona, e trajtojmë si vizitor. Madje edhe kryqi, vendi ku mendohej se kujtesa do të ndalej për një kohë të gjatë dhe ku indiferenca do të ishte një mysafir i paftuar, përdhoset nga këmbët e harresës.
A nuk të flet ndërgjegjja jote për vërtetësinë e një fakti të tillë? A nuk të duket se e harron shpesh Jezusin? Një dashuri tjetër ta rrëmben zemrën, dhe e harron Atë të cilit duhet t’ia japësh dashurinë tënde. Punët e kësaj bote ta largojnë vëmendjen, atëherë kur ti duhet t’i mbaje sytë të ngulur në kryq. Rrëmuja e pandërprerë e botës, apo tërheqja e vazhdueshme e gjërave tokësore e largojnë shpirtin nga Krishti. Kujtesa e ruan me përkujdesje një bimë helmuese, ndërsa trëndafilin e Sharonit e lë të thahet. Marrshim zotimin që të lidhim një përkujtues qiellor rreth zemrave tona për Jezusin, Shumë të Dashurin tonë, me qëllim që edhe në harrofshim gjithçka tjetër, të paktën Atë ta mbërthejmë fort!
© dritez.al 2024