Prill 2023

“Lum ai që rri zgjuar.”

Zbulesa 16:15

Apostulli tha: “Përditë unë po vdes” (1 e Korintasve 15:31). Kjo ishte jeta e të krishterëve të parë; kudo ku shkonin, ishin me kokë në torbë. Në ditët e sotme nuk jemi thirrur të kalojmë përmes së njëjtave përndjekje të frikshme, por edhe nëse do të ishim, Zoti me siguri do të na jepte hir për ta kaluar sprovën. Mirëpo, në kohët tona, sprovat e jetës së krishterë, megjithëse nga jashtë nuk duken edhe aq të tmerrshme, prapëseprapë kanë më shumë gjasa të na mposhtin, sesa ato të atyre kohërave të zjarrta.

Duhet të përballojmë talljet e botës, por ato janë pjesa më e lehtë. Mirëpo, duhet të përballojmë edhe lajkat, fjalët joshëse, fjalimet prej puthadori, aktet e servilizmit dhe hipokrizinë e botës, si dhe të tjera më të këqija sesa këto. Rreziku është se mos vëmë kamje dhe bëhemi krenarë, se mos jepemi pas modave të kësaj bote të ligë dhe humbasim besimin. Ose, edhe nëse sprovat tona nuk kanë të bëjnë me pasurinë, shqetësimet e kësaj bote janë po aq të dëmshme. Nëse nuk shqyhemi nga luani ulëritës, mund të na përqafojë për vdekje ariu.

Djallit nuk i intereson se kush na e bën gjëmën, mjafton që të shkatërrojë dashurinë tonë për Krishtin dhe besimin tonë tek Ai. Druhem se mos kisha e krishterë ka më tepër gjasa që ta humbasë integritetin e saj në këto ditë të mëndafshta e të lehta sesa në ato ditë të vështira. Duhet të qëndrojmë zgjuar tani, sepse po ecim përmes tokës së magjepsur dhe ka shumë gjasa të biem në gjumë për të keqen tonë, po qe se besimi ynë në Jezusin nuk është i vërtetë dhe dashuria jonë për Jezusin nuk është një flakë e furishme. Në këto ditë kur besimi shpallet me lehtësi, ka shumë nga ata që janë të prirë për të dalë egjër dhe jo grurë; këta janë hipokritë me maska të bukura në fytyrë, por jo fëmijë të vërtetë të lindur nga Perëndia i gjallë.

I krishterë, mos mendo se në këto kohë mund të mbijetosh pa qenë syçelë dhe pa pasur zell të shenjtë; këto gjëra të nevojiten sot më shumë se kurrë, madje dashtë Perëndia Frymë e përjetshme që ta shfaqë në ty gjithëfuqishmërinë e Tij, me qëllim që në kohë të vështira e të bukura, ti të jesh në gjendje të thuash: “[Ne] jemi më shumë se fitimtarë me anë të atij që na deshi” (Romakëve 8:37)!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin