spurgeon dev 26 nëntor am
November 2023

Tërë ato që dora jote gjen për të bërë, bëji me gjithë forcën tënde.

Predikuesi 9:10

“Tërë ato që dora jote gjen për të bërë”, ka të bëjë me gjërat që janë të mundshme. Janë të shumta gjërat që zemra jonë gjen për të bërë, të cilat nuk do t’i bëjmë kurrë. Është mirë kur i kemi gjërat në zemër; por nëse dëshirojmë të jemi tejet të dobishëm, nuk duhet të kënaqemi vetëm duke bërë plane në zemrën tonë dhe duke folur për to; ne duhet që të bëjmë praktikisht “tërë ato që dora … [jonë] gjen për të bërë”.

Një vepër e mirë ka më shumë vlerë sesa një mijë teori gjeniale. Le të mos presim për mundësi të shkëlqyera, ose për një lloj tjetër pune, por le të bëjmë gjërat që “gjejmë për të bërë” ditë për ditë.

Nuk do të na jepet një jetë tjetër për ta jetuar. E kaluara iku; e ardhmja nuk ka mbërritur ende; e vetmja kohë që kemi në dispozicion, është e tashmja. Atëherë, mos prit derisa përvoja jote të jetë pjekur në maturi, përpara se të bësh ndonjë përçapje për t’i shërbyer Perëndisë.

Përpiqu tani, pra, të japësh fryte! Shërbeji Perëndisë sot, por ki kujdes se si i kryen gjërat që gjen për t’i bërë—pra, “bëji me gjithë forcën tënde”!

Bëji menjëherë; mos e harxho më kot jetën tënde, duke menduar për atë që ke ndërmend të bësh nesër, sikur një gjë e tillë të të shfajësonte për përtacinë e sotme.

Askush nuk i ka shërbyer ndonjëherë Perëndisë duke i lënë gjërat për të nesërmen. Në qoftë se e nderojmë Krishtin dhe jemi të bekuar, kjo ndodh për shkak të gjërave që bëjmë sot.

Çfarëdo që të bësh për Krishtin, bëje me gjithë shpirt! Mos i ofro Krishtit një punë të bërë shkel e shko dhe as mos i shërbe me hope; por kur t’i shërbesh Atij, bëje me gjithë zemrën, shpirtin dhe forcën tënde!

Mirëpo, ku qëndron fuqia e të krishterit? Nuk qëndron në atë vetë, sepse ai është vetë mishërimi i dobësisë. Fuqia e tij qëndron në Zotin e ushtrive. Atëherë, le të kërkojmë ndihmën e Tij; le të vazhdojmë me lutje dhe besim, dhe pasi ta kemi bërë tërë atë që “dora [jonë] gjen për të bërë”, le të presim në Zotin për bekimin e Tij. Çdo gjë që bëjmë në këtë mënyrë, do të jetë e bërë shumë mirë dhe do të arrijë të jetë e efektshme.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin