spurgeon dev 26 nëntor pm
November 2023

Por ata të shtatë gëzohen kur shohin plumbçen në duart e Zorobabelit.

Zakaria 4:10

Fillimi i punës u karakterizua nga një gjë e vogël që gjendej në dorën e Zorobabelit, por nuk ishte një gjë për t’u përçmuar nga askush, sepse Zoti kishte ngritur dikë që do të ngulmonte derisa puna të përfundohej me klithma gëzimi. Plumbçja gjendej në duar të sigurta. Ja ku kemi ngushëllimin e çdo besimtari në Zotin Jezus. Nuk ka rëndësi nëse vepra e hirit është kaq e vogël në fillimet e saj, plumbçja gjendet në duar të sigurta. Një mjeshtër ndërtues më i madh sesa Salomoni ka marrë përsipër ta ngrejë tempullin qiellor, dhe Ai as do të dështojë, as do të shkurajohet derisa të ngrihet maja e tempullit. Në qoftë se plumbçja do të gjendej thjesht në duart e një qenieje njerëzore, mund të kishim frikë për fatin e kësaj vepre, por pëlqimi i Zotit do të ketë mbarësi në duart e Jezusit.

Punët nuk u bënë në mënyrë të çrregullt apo shkel e shko, sepse në dorën e mjeshtrit gjendej një instrument i saktë. Sikur muret të ishin ndërtuar me ngut dhe pa mbikëqyrjen e duhur, mbase nuk do të kishin qenë të drejta; por plumbçja përdorej nga mbikëqyrësi i zgjedhur. Jezusi e mbikëqyr vazhdimisht ndërtimin e tempullit të Tij frymëror, me qëllim që ky të ndërtohet i sigurt dhe i fortë. Neve na pëlqen të nxitojmë, por Jezusi i gjykon gjërat mirë e mirë. Ai do ta përdorë plumbçen, dhe ai mur që nuk është ndërtuar drejt, do të hidhet poshtë deri në gurin e fundit. Ja pse shumë vepra lajkatare dështojnë, ja pse shumë fjalë të bukura i merr era. Nuk na takon neve ta gjykojmë Kishën e Perëndisë, përderisa Jezusi ka një dorë të qëndrueshme, një sy shqiponje, dhe di ta përdorë mirë plumbçen. A nuk gëzohemi vallë për faktin që gjykimi i takon Atij?

Plumbçja ishte vazhdimisht në përdorim—përherë në duart e ndërtuesit, një tregues i qartë që ai synonte ta çonte veprën deri në fund. O Zoti Jezus, sa të gëzuar do të ishim të të vështronim tek e kryen veprën Tënde të madhe! O Sion, i bukuri ti, muret e tua janë ende gërmadha! Ngrihu, o Ndërtues i lavdishëm, dhe bëji rrënojat e shkretuara të ngazëllohen për shkak të ardhjes Sate!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin