Jezusi u përgjigj … “prandaj nëse më kërkoni mua, i lini këta të shkojnë.”
Gjoni 18:8
Pa shiko, o shpirti im, përkujdesjen që tregoi Jezusi për delet e Tij të çmuara, madje edhe në orën e Tij të sprovës! Pasioni i Tij për të Vetët është më i fortë se vdekja. Vërtet iu dorëzua armikut, por megjithatë ndërhyri me fjalë fuqie për t’i çliruar dishepujt e Vet. Sa për Veten, si një qengj që e çojnë në thertore, si një dele e heshtur përpara atyre që e qethin, Ai nuk e hapi gojën; por për hir të dishepujve të Vet, Ai foli me fuqi dhe energji supreme. Kësaj mund t’i themi me plot gojë dashuri, sepse është një dashuri besnike, vetëmohuese dhe e qëndrueshme. Mirëpo, a ka ndonjë gjë tjetër vallë, të cilën ende nuk na e ka zënë syri? A nuk ngërthejnë këto fjalë vetë frymën dhe thelbin e shlyerjes së mëkateve?
Bariu i Mirë jep jetën e Tij për delet, dhe për pasojë kërkon që ata të lihen të lirë. Dorëzani është lidhur, dhe drejtësia kërkon që ata për të cilët Ai u bë zëvendësues, të lirohen. Në kulmin e skllavërisë së Egjiptit, zëri ushtoi fuqishëm: “Lëre popullin tim të shkojë!”. Të shpenguarit duhet të dalin nga zgjedha e skllavërisë së mëkatit dhe të paudhit. Në çdo qeli të hapsanës së Dëshpërimit ushton jehona: “I lini këta të shkojnë”, dhe prej tyre dalin Zemërlëshuari dhe Frikacaku. I paudhi e dëgjon atë zë që e njeh shumë mirë dhe e heq këmbën nga zverku i të rënëve; të njëjtin zë e dëgjon edhe Vdekja dhe varri i hap portat e veta, që t’i lërë të vdekurit të ringjallen. Këta njerëz shkojnë në udhën e përparimit, shenjtërisë, ngadhënjimit dhe lavdisë, dhe askush nuk guxon t’ua presë udhën. Nuk ka luan që mund t’ua zërë shtegun apo kafshë grabitqare që mund t’u afrohet tek ecin në të.
Zoti Jezus i ka tërhequr pas vetes gjahtarët mizorë, duke bërë që edhe më të ndrojturit e nxënësve të Tij të gjejnë paqe të përsosur në dashurinë e Tij të pakufishme. Reja e stuhisë ka shpërthyer mbi kryqin e Kalvarit, dhe shtegtarët e Sionit nuk do të goditen më kurrë nga shkreptimat e hakmarrjes.
Eja, zemra ime, dhe ngazëllohu në paprekshmërinë që të ka siguruar Shpenguesi yt, dhe bekoje emrin e Tij gjithë ditën dhe përditë!
© dritez.al 2024