“...kur të vijë në lavdinë e Atit të vet, me engjëjt e shenjtë.”
Marku 8:38
Nëse kemi marrë pjesë me Jezusin në poshtërimin e tij, do të jemi pjesëtarë me Të edhe në shkëlqimin që do të rrezatojë prej Tij kur të shfaqet përsëri në lavdi. A ke përbashkësi me Krishtin Jezus? A nuk të mban lidhur pas Tij një marrëdhënie e gjallë? Atëherë, ti je sot me Krishtin në poshtërimin e Tij; ke marrë mbi krahë kryqin e Tij dhe ke shkuar me Të jashtë fushës, duke bartur fyerjen e Tij, por pa dyshim që do të jesh me Të edhe kur kryqi të zëvendësohet nga kurora.
Mirëpo, vlerësoje pak veten sonte; sepse nëse nuk je bërë një me Të në lindjen e re, nuk do të jesh me Të kur të shfaqet në lavdi. Nëse zmbrapsesh përpara anës së errët të përbashkësisë me Krishtin, atëherë nuk do ta kuptosh anën e ndritshme dhe të lumtur të saj, kur Mbreti të vijë bashkë me gjithë engjëjt e shenjtë.
Çfarë?! Do ta shoqërojnë engjëjt? E megjithatë, Ai nuk mori për nuse engjëjt, por pasardhësit e Abrahamit. A nuk janë vallë engjëjt e shenjtë me Të? Eja, shpirti im; nëse vërtet je e dashura e Tij, nuk mund t’i qëndrosh dot larg Atij. Nëse miqtë dhe të afërmit e Tij janë ftuar që së bashku të sodisin lavdinë e Tij, a mos do t’i qëndrosh larg? Megjithëse do të ketë një ditë gjykimi, prapëseprapë nuk mund t’i qëndrosh dot larg asaj zemre e cila, ndonëse i pranon engjëjt në përbashkësi të afërt, të ka zgjedhur ty që të jesh bashkëshortja e Tij. O shpirti im, a nuk të ka thënë Ai vallë: “Do të fejohesh me mua përjetë; po, do të fejohesh me mua në drejtësi, në paanshmëri, në dashamirësi dhe në dhembshuri”?
A nuk ka shpallur Ai që ne jemi bashkuar me Të? Nëse engjëjt të cilët nuk janë veçse miq dhe të afërm, do të jenë me Të, është tepër e sigurt se vetë e dashura e Tij, tek e cila është gjithë kënaqësia e Tij, do të qëndrojë përkrah Tij dhe do të ulet në të djathtën e Tij. Këtu ke një yll mëngjesor shprese për ty, i cili shkëlqen kaq shumë, sa mund të ndriçojë edhe përvojën tënde më dëshpëruese dhe më të errët.
© dritez.al 2024