spurgeon dev 26 korrik am
July 2023

…duke treguar çdo zell, t’i shtoni besimit tuaj virtytin, dhe në virtyt njohurinë, [etj.]. 

2 e Pjetrit 1:5-6

Në qoftë se dëshiron të shijosh hirin e shkëlqyer të sigurisë së plotë të besimit, nën ndikimin dhe ndihmën e bekuar të Frymës, bëj atë që të thotë Shkrimi i Shenjtë: “...duke treguar çdo zell.” Kujdesu që besimi yt të jetë i vërtetë—jo vetëm besim në një doktrinë të caktuar, por një besim i thjeshtë, që mbështetet mbi Krishtin dhe vetëm mbi Krishtin.

Kushtoji vëmendje të veçantë guximit tënd! Përgjëroju Perëndisë që të të japë një zemër luani, me qëllim që, duke qenë i vetëdijshëm për të drejtën, të mund të shkosh përpara me guxim! Studioji me vëmendje Shkrimet dhe fito dituri; sepse njohja e doktrinës do të të ndihmojë shumë për të përforcuar besimin. Përpiqu ta kuptosh Fjalën e Perëndisë; banoftë ajo në zemrën tënde me gjithë begatinë e vet!

Kur ta kesh bërë këtë, shto “në njohuri përmbajtjen”. Bëj kujdes për trupin dhe shpirtin tënd! Ji i përmbajtur në të folur, në jetë, në zemër dhe në mendime! Këtyre shtoju durimin me anë të Frymës së Shenjtë të Perëndisë; lutju Atij të të japë atë durim që e përballon vuajtjen, i cili, kur sprovohet në furrë, nxjerr flori e shkuar floririt. Vishu po ashtu me durim, që të mos ankohesh duke folur nëpër dhëmbë dhe as të mos biesh në depresion gjatë vuajtjeve të tua.

Me ta fituar atë hir, përpiqu të arrish perëndishmërinë! Perëndishmëria është një gjë më e madhe sesa feja. Ktheje lavdinë e Perëndisë në objektivin tënd në jetë; jeto nën shikimin e Tij; bano pranë Tij, kërko përbashkësi me Të, dhe kështu do ta arrish “perëndishmërinë”, së cilës shtoji dashurinë vëllazërore! Ushqe dashuri për gjithë shenjtorët: dhe shtoji asaj një bamirësi, e cila i hap krahët ndaj gjithë njerëzve dhe i do shpirtrat e tyre. Kur të jesh zbukuruar me gjithë këto xhevahire, pikërisht në përpjesëtim të drejtë me ushtrimin e këtyre virtyteve qiellore, do të arrish të njohësh me anë provash të qarta “thirrjen dhe zgjedhjen tënde”. Nëse dëshiron siguri, “trego çdo zell”, duke e ditur se zemërvaktësia dhe dyshimi janë dy gjëra që shkojnë shumë natyrshëm dorë për dore.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin