Dhe të gjithë ata që i dëgjuan, u mrekulluan nga gjërat që u treguan barinjtë.
Luka 2:18
Nuk duhet të pushojmë kurrë së u mrekulluari nga veprat madhështore të Perëndisë sonë. Vështirë se mund të heqim një vijë të qartë ndarëse mes mahnitjes së shenjtë dhe adhurimit të vërtetë; sepse kur shpirti pushtohet nga madhështia e lavdisë së Perëndisë, megjithëse ndoshta nuk shprehet me anë të këngës ose madje nuk e shqipton dot asnjë fjalë me kokën e ulur në lutje të përulur, prapëseprapë adhuron në heshtje.
Perëndia i trupëzuar duhet adhuruar si “I Mrekullueshmi”. Fakti që Perëndia i kushton vëmendje krijesës së Tij të rënë, njeriut, dhe në vend që ta fshijë tutje me fshesën e shkatërrimit, merr Vetë përsipër të bëhet Shpenguesi i tij, duke paguar çmimin e shpengimit, është me të vërtetë i mrekullueshëm!
Mirëpo, shpengimi bëhet edhe më i mrekullueshëm, kur çdo besimtar e shqyrton atë në lidhje me veten e vet. Fakti që Jezusi duhet ta braktiste fronin dhe pushtetin mbretëror që kishte në qiell, që të vuante në mënyrën më poshtëruese të mundshme për ty këtu poshtë, është një mrekulli e vërtetë hiri. Lëre shpirtin tënd të mrekullohet pafund, sepse kjo lloj mahnitjeje është një emocion mjaft praktik. Mahnitja e shenjtë do të të shtyjë drejt adhurimit mirënjohës dhe falënderimit të përzemërt.
Do të nxisë brenda teje vigjilencën e perëndishme, sepse do të kesh frikë të mëkatosh ndaj një dashurie të tillë. Duke ndier praninë e Perëndisë së fuqishëm në dhuratën e Birit të Tij të dashur, do t’i heqësh këpucët nga këmbët, sepse vendi ku po shkel është tokë e shenjtë. Dhe, njëherësh, brenda teje do të forcohet shpresa e lavdishme.
Nëse Jezusi ka bërë të tilla gjëra të mrekullueshme për ty, do të ndihesh sikur edhe vetë qielli është i vogël në krahasim me gjërat që ti pret. A ka diçka që mund ta mahnitë dikë i cili ka mbetur një herë i mahnitur nga grazhdi dhe nga kryqi? Çfarë tjetër mund ta mrekullojë dikë pasi ai të ketë parë Shpëtimtarin? I dashur lexues, mund të ndodhë që për shkak të jetës sate të qetë e vetmitare, e ke pothuaj të pamundur të ndjekësh shembullin e barinjve të Bethlehemit, të cilët shkuan e u treguan të tjerëve për ç’kishin parë e dëgjuar, por të paktën bashkoju rrethit të adhuruesve përpara fronit, duke u mrekulluar për ato që Perëndia ka bërë.
© dritez.al 2024