spurgeon dev 26 gusht am
August 2023

Ai…ka vendosur besëlidhjen e tij përjetë.

Psalmi 111:9

Vetë besëlidhja është një burim kënaqësie për popullin e Zotit. Ajo është për ta një burim i pashtershëm ngushëllimi sa herë që Fryma e Shenjtë i udhëheq drejt shtëpisë së gostive dhe valëvit flamurin e dashurisë. Ata kënaqen duke soditur lashtësinë e asaj besëlidhjeje, duke i kujtuar vetes që, përpara se ylli i agut ta dinte vendin e tij ose planetët të ndiqnin trajektoren e tyre, privilegjet e shenjtorëve ishin siguruar në Krishtin Jezus. Një kënaqësi të veçantë u fal edhe të kujtuarit e sigurisë së besëlidhjes, tek meditojnë rreth “hirit të qëndrueshëm [të Perëndisë që iu premtua] Davidit” (Isaia 55:3). Ata kënaqen duke e festuar besëlidhjen si të nënshkruar, të vulosur dhe të ratifikuar. Zemrat e tyre gufojnë nga gëzimi sa herë që mendojnë për pandryshueshmërinë e saj, si një besëlidhje që as koha dhe as përjetësia, as jeta dhe as vdekja nuk do të jenë në gjendje që ta shkelin—një besëlidhje kjo po aq e vjetër sa edhe vetë përjetësia dhe po aq e amshuar sa edhe Shkëmbi i përjetshëm.

Ata ngazëllohen duke festuar për plotësinë e kësaj besëlidhjeje, sepse shohin tek ajo gjithçka është siguruar për ta. Perëndia është pjesa e tyre, Krishti shoku i tyre, Fryma Ngushëlluesi i tyre, toka banesa e tyre [e përkohshme] dhe qielli shtëpia e tyre [e përjetshme]. Ata shohin në të një trashëgimi që është vënë mënjanë për çdo shpirt që zotëron një interes për dhuratën e saj të lashtë e të përjetshme. Sytë e tyre shkëlqyen kur e panë atë porsi një shpellë thesari në Bibël; mirëpo, akoma më shumë u gëzuan shpirtrat e tyre kur panë se si në dhiatën dhe testamentin e fundit të Krishtit të tyre, kjo trashëgimi u ishte lënë atyre!

Mirëpo, edhe më e madhe është kënaqësia e popullit të Perëndisë kur sodit hirin e madh të kësaj besëlidhjeje. Ata e kuptojnë se ligji ishte anuluar, sepse ishte një besëlidhje veprash dhe bazohej mbi meritat, por e dinë se besëlidhja e re do të jetë e qëndrueshme, sepse hiri është baza, hiri është kushti, hiri është fortesa, hiri është themeli dhe hiri është guri i qoshes. Besëlidhja është një thesar pasurish, një hambar plot me drithë, një burim jete, një magazinë shpëtimi, një traktat paqeje dhe një liman gëzimi.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>