spurgeon dev 26 gusht pm
August 2023

Dhe menjëherë e gjithë turma, kur e pa, u habit dhe erdhi me vrap për ta përshëndetur.

Marku 9:15

Sa i madh është ndryshimi mes Moisiut dhe Jezusit! Pasi kishte kaluar dyzet ditë mbi mal, Moisiu pësoi njëfarë shpërfytyrimi, dhe kështu fytyra e tij shkëlqente me një ndriçim të jashtëzakonshëm, prandaj vuri një vel mbi fytyrë, sepse njerëzit nuk mund ta vështronin dot lavdinë e tij. Mirëpo, nuk ndodhi e njëjta gjë me Shpëtimtarin tonë. Ai ishte shpërfytyruar me një lavdi edhe më të madhe sesa ajo e Moisiut, e megjithatë nuk shkruhet se njerëzit u verbuan prej shkëlqimit që rrezatonte fytyra e Tij, por përkundrazi, ata u habitën dhe erdhën me vrap për ta përshëndetur Atë.

Lavdia e ligjit të zmbraps, por lavdia më e madhe e Jezusit të tërheq. Edhe pse Jezusi është i shenjtë dhe i drejtë, prapëseprapë, përzier me dëlirësinë e Tij ka edhe kaq shumë të vërtetë e hir, aq sa mëkatarët rendin drejt Tij të mahnitur prej mirësisë së Tij dhe të joshur nga dashuria e Tij; ata e përshëndetin, bëhen dishepuj të Tij dhe e pranojnë Atë si Zot dhe Mësues. Lexues, ka mundësi që pikërisht tani të jesh i verbuar nga shkëlqimi rrëzëllues i ligjit të Perëndisë! I ndien brerjet e shkaktuara prej tij në ndërgjegje, por [je i vetëdijshëm që] nuk mund ta zbatosh dot në jetën tënde. Jo sepse gjen ndonjë të metë te ligji; përkundrazi, ai të imponon vlerësimin më të lartë.

Mirëpo, ligji nuk arrin të të tërheqë te Perëndia; por përkundrazi, ta ngurtëson zemrën, gjë që të bën të priresh drejt dëshpërimit. Prandaj, hiqi sytë nga Moisiu, me gjithë shkëlqimin e tij zmbrapsës, dhe drejtoji ato për te Jezusi që vezullon me lavdi më të buta për syrin! Pa vështro plagët e Tij që rrjedhin gjak dhe kryet me kurorën e gjembave! Ai është Biri i Perëndisë, pra, është më i madh sesa Moisiu, por Ai është edhe Zoti i dashurisë, dhe si rrjedhojë, më zemërbutë sesa ligjdhënësi. Ai duroi zemërimin e Perëndisë dhe në vdekjen e Tij e shfaqi drejtësinë e Perëndisë më shumë sesa Sinai, por ajo drejtësi tashmë është lartësuar dhe është rojtari i besimtarëve në Jezusin. O mëkatar, pa hidhe vështrimin te Shpëtimtari i përgjakur, dhe ndërsa e ndien tërheqjen e dashurisë së Tij, vrapo drejt e në krahët e Tij dhe do të shpëtohesh!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>