spurgeon dev 25 am
October 2023

Për shkak të së vërtetës që qëndron në ne dhe do të jetë me ne përjetë.

2 e Gjonit 2

Sapo e vërteta e Perëndisë të ketë hyrë brenda zemrës së njeriut dhe ta ketë nënshtruar mbarë qenien njerëzore, nuk ka asnjë fuqi, qoftë njerëzore, apo djallëzore, që mund ta zbojë prej andej. Nuk e mirëpresim të vërtetën si mysafir, por si të zotin e shtëpisë. Kjo është një gjë e domosdoshme për të krishterin, sepse kushdo që nuk e beson këtë, nuk është i krishterë.

Ata që e ndiejnë fuqinë jetësore të Ungjillit dhe që e njohin fuqinë e Frymës së Shenjtë tek e shpalos, e vë në praktikë dhe e vulos Fjalën e Zotit, do të pranonin më mirë të bëheshin copë-copë, sesa të shkëputeshin nga Ungjilli i shpëtimit të tyre. Ka një mijë mëshira të cilat fshihen brenda sigurisë se e vërteta do të jetë përgjithnjë me ne, do të jetë mbështetja jonë në jetë dhe ngushëllimi ynë në vdekje, kënga jonë në kreshendo dhe lavdia jonë e përjetshme. Ky është vërtet një privilegj i krishterë, dhe pa të, besimi ynë do të ishte pothuajse i pavlerë. Ndodh që disa të vërteta nuk na bëjnë më dhe i lëmë pas, sepse ato janë veçse njohuri elementare dhe mësime për fillestarët, por nuk mund të sillemi kështu me të vërtetën hyjnore, sepse, megjithëse është ushqim i ëmbël për foshnjat, është në kuptimin më të plotë të fjalës edhe mish i fortë për të rriturit. E vërteta e dhimbshme se jemi mëkatarë na shoqëron për të na përulur dhe për të na bërë më vigjilentë; e vërteta edhe më e bekuar se kushdo që beson në Zotin Jezus do të shpëtohet, qëndron në ne si shpresa dhe gëzimi ynë. Përvoja jo vetëm që nuk e dobëson kapjen tonë të fortë pas doktrinave të hirit, por edhe na ka lidhur me to në mënyrë të pazgjidhshme; prandaj, shkaqet edhe arsyet tona për të besuar tani janë më të forta dhe më të shumta se më parë, dhe po ashtu kemi arsye për të besuar se do të vazhdojë kështu deri në çastin e vdekjes, kur do ta shtrëngojmë fort Shpëtimtarin në krahët tanë.

Kudo që mund ta zbulojmë këtë dashuri të qëndrueshme për të vërtetën, jemi të detyruar të kemi pjesë në përbashkësi dhe ta tregojmë dashurinë tonë. Nuk ka rreth të ngushtë që mund t’i mbajë peng ndjenjat tona të bashkëvuajtjes së hirshme; përbashkësia e zemrës sonë duhet të jetë po aq e gjerë sa edhe oqeani i hirit. Mund të ndodhë që gabimet të përzihen me të vërtetën që kemi marrë; le të luftojmë kundër tyre, ama le ta duam vëllanë për hir të masës së të vërtetës që shohim tek ai. Mbi të gjitha, vetë ne le ta duam dhe ta përhapim të vërtetën.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>