Kështu Ruthi shkoi dhe nisi të mbledhë kallinjtë prapa korrësve; dhe i rastisi të ndodhej në pjesën e arës që ishte pronë e Boazit, i cili i përkiste familjes së Elimelekut.
Ruthi 2:3
Asaj i rastisi të ndodhej atje. Po, dukej veçse një rastësi, por gjithçka drejtohej nga dora hyjnore! Ruthi kishte dalë arave me bekimin e vjehrrës, nën kujdesin e Perëndisë të vjehrrës së saj, për t’u marrë me një punë përulëse, por edhe nderuese, dhe çdo hap i saj udhëhiqej nga provania hyjnore. Zor se mund ta dinte se mes duajve të grurit do të gjente shokun e jetës, se ai do ta bënte bashkëpronaren e dhjetëra hektarëve tokë dhe se ajo, një e huaj e vobektë, do të bëhej një nga paraardhëset e Mesias së madh. Perëndia është shumë i mirë ndaj atyre që besojnë tek Ai, dhe shpesh i zë në befasi me bekimet e Tij të papritura. Nuk dimë se çfarë mund të na ndodhë nesër, por ky fakt i bukur mund të na e ngrohë zemrën—nuk do të privohemi nga asnjë e mirë. Besimi i të krishterëve nuk lë vend për rastësinë, sepse ata e shohin dorën e Perëndisë në gjithçka. Ngjarjet e rëndomta të së sotmes ose të së nesërmes mund të sjellin pasoja të një rëndësie shumë të madhe. O Zot, trajtoji tani shërbëtorët e Tu me të njëjtin hir që i shfaqe Ruthit!
Ç’bekim i madh do të ishte sikur, duke u endur sonte nëpër fushën e përsiatjes, të na rastiste të gjendeshim në vendin ku Zoti Jezus do të na e zbulonte Veten!
O Frymë e Perëndisë, na udhëheq drejt Atij! Do të pranonim më mirë të mblidhnim kallinj në fushën e Tij, sesa të merrnim me vete në shtëpi gjithë të korrat nga ndonjë arë tjetër. Do të ndjekim gjurmët e tufës së Tij, të cilat do të na drejtojnë te kullotat plot bar ku banon Ai! Kjo botë bëhet shumë e mërzitshme kur mungon Jezusi—ne do ta kishin më të lehtë të mbijetonim pa diellin e hënën, sesa të na linin pa Të—por sa hyjnisht e bukur bëhet gjithçka në lavdinë e pranisë së Tij! Shpirtrat tanë i njohin të mirat që fshihen në Jezusin, dhe nuk mund të gjejnë kënaqësi askund tjetër, përveçse tek Ai. Do të presim në lutje sonte, derisa të na “rastisë” që të ndodhemi në atë pjesë të arës që është pronë e Jezusit, ku Ai do të na e zbulojë Veten.
© dritez.al 2024