I drejtë dhe drejtësues i atij që beson në Jezusin.
Romakëve 3:26
Duke qenë të drejtësuar përmes besimit, kemi paqe me Perëndinë. Ndërgjegjja ka pushuar së qeni akuzuesi ynë. Gjykimi tani jepet në favor të mëkatarit dhe jo kundër tij. Kujtesa e hedh vështrimin pas, te mëkatet e së kaluarës, me trishtim të thellë për to, por megjithatë, nuk i druhet ndonjë ndëshkimi të ardhshëm; sepse Krishti e ka paguar borxhin e popullit të Vet deri në jotën dhe pikën e fundit, duke marrë edhe mandatarkëtimin hyjnor për këtë pagesë. Veç nëse Perëndia do të ishte aq i padrejtë sa të kërkonte të paguhej dy herë i njëjti borxh, [gjë që nuk është aspak e vërtetë], asnjë shpirt i fituar nga Jezusi përmes vdekjes së Tij zëvendësuese nuk do të hidhet kurrë në ferr.
Duket se një nga parimet e natyrës sonë të rilindur është besimi se Perëndia është i drejtë. E ndiejmë se Ai është i tillë, dhe një ndjesi e tillë fillimisht na tmerron, por sa i mrekullueshëm është fakti që i njëjti besim se Perëndia është i drejtë, kthehet më pas në shtyllën e besimit dhe paqes sonë! Në qoftë se Perëndia është i drejtë, atëherë unë, një mëkatar, në qofsha vetëm dhe pa zëvendësues, duhet të ndëshkohem. Mirëpo, Jezusi e ka zënë vendin tim dhe është ndëshkuar për mua; prandaj, nëse Perëndia është i drejtë, atëherë për mua, një mëkatar që qëndron në Krishtin, nuk ka më asnjë dënim. Do të duhej që Perëndia ta ndryshonte natyrën e tij përpara se një shpirt, zëvendësuesi i të cilit u bë Krishti, të mund ta vuante ndonjëherë ndëshkimin e ligjit.
Prandaj, meqenëse Jezusi ka zënë vendin e besimtarit—duke i dhënë zemërimit hyjnor një barasvlerë të plotë për gjithçka që populli i Tij duhet të kishte vuajtur si pasojë e mëkatit—besimtari mund të klithë me ngadhënjim të lavdishëm: “Kush do t'i padisë të zgjedhurit e Perëndisë?” (Romakëve 8:33). Perëndia jo e jo, pasi Ai i ka drejtësuar; Krishti jo e jo, sepse Ai ka vdekur, por edhe është ringjallur sërish. Shpresa ime është e gjallë, jo ngaqë nuk jam më një mëkatar, por ngaqë jam një mëkatar për të cilin vdiq Krishti; besimi im nuk ka të bëjë me faktin se jam i shenjtë, por se duke qenë i pashenjtë, Ai është drejtësia ime. Besimi im nuk themelohet mbi atë që jam ose që do të jem, ose që ndiej, apo që di, por përkundrazi, mbi atë se kush është Krishti, në atë se ç’ka bërë dhe se ç’është duke bërë tani për mua. Aleluja!
© dritez.al 2024