spurgeon dev 25 shtator pm
September 2023

I cili u bë për ne urtësi prej Perëndisë.

1 e Korintasve 1:30

Intelekti njerëzor kërkon prehje dhe për vetë natyrën e tij, e kërkon atë te gjëra të tjera përveç Zotit Jezu Krisht. Njerëzit e shkolluar kanë prirjen që, edhe pasi të jenë kthyer në besim, ta shohin thjeshtësinë e kryqit të Krishtit me dashuri e respekt të mangët. Ata kanë ngecur në rrjetën e vjetër, në të cilën ranë grekët [e lashtë], sepse digjen nga dëshira për ta përzier filozofinë me zbulesën.

Tundimi për një njeri me kulturë të lartë a me shumë shkollë është që të largohet nga e vërteta e thjeshtë e Krishtit të kryqëzuar dhe të shpikë, siç e thotë vetë termi, një doktrinë më intelektuale. Ishte pikërisht kjo prirje që i çoi kishat e krishtera të hershme drejt agnosticizmit dhe i yshti ato me lloj-lloj herezish. Kjo është edhe rrënja e heterodoksisë dhe e atyre nocioneve të tjera të sofistikuara që në të kaluarën ishin kaq në modë në Gjermani, ndërsa tani janë kaq magjepsëse për disa grupe teologësh. Kushdo qofsh, lexues i dashur, dhe cilido qoftë shkollimi yt, në qoftë se i përket Zotit, ji i sigurt se nuk do të gjesh prehje duke filozofuar rreth hyjnisë!

Mund të përqafosh dogmën e një mendimtari të madh, ose teorinë e një teoricieni të thellë, por ashtu siç është byku në krahasim me grurin, kështu do të jenë edhe ato nocione në krahasim me Fjalën e kulluar të Perëndisë. Arsyeja, edhe atëherë kur është e drejtuar si duhet, mund të zbulojë veçse ABC-në e së vërtetës, madje edhe asaj i mungon siguria, ndërsa në Zotin Jezus ruhet e gjithë mbushullia e urtësisë dhe diturisë. Të gjitha përpjekjet nga ana e të krishterëve për t’u kënaqur me sistemet që miratohen prej mendimtarëve unitarë apo atyre të kishës liberale, do të dështojnë; trashëgimtarët e vërtetë të qiellit duhet t’i kthehen realitetit madhërisht të thjeshtë, që i bën edhe sytë e pendarit të shkëlqejnë me gëzim dhe që e mbush me hare zemrën e varfanjakut të perëndishëm—“Krishti Jezus erdhi në botë për të shpëtuar mëkatarët” (1 e Timoteut 1:15). Jezusi e kënaq edhe intelektin më të ndritur kur Ai pranohet me besim, mirëpo, pa Të, mendja e njeriut të rilindur nuk gjen dot prehje. “Frika e ZOTIT është fillimi i njohjes” (Fjalët e Urta 1:7). “...fitojnë gjykim të mirë ata që zbatojnë urdhërimet e tij” (Psalmi 111:10).


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>