Shkurt 2023

“...zemërimit që po vjen…”

Mateu 3:7

Sa kënaqësi është të shëtisësh fushave pasi është shuar stuhia—të ndiesh freskinë e barit pasi ka mbaruar shiu dhe të vëresh pikëzat e ujit, që shndrijnë porsi diamante nën dritën e diellit! 

Kjo është pozita e një të krishteri. Ai është duke ecur në një tokë ku stuhia e ka shfryrë veten mbi kokën e Shpëtimtarit, ku edhe nëse bien disa pika vuajtjeje, ato pikojnë nga retë e mëshirës, dhe ku Jezusi e nxit atë duke e siguruar se ato pika nuk janë për shkatërrimin e tij. 

Mirëpo, sa e tmerrshme është të vështrosh afrimin e një furtune—të shohësh shenjat që e paralajmërojnë stuhinë; të vëresh zogjtë e qiellit tek i mbledhin krahët, bagëtinë tek i ulin kokat të tmerruara; të dallosh pamjen e qiellit tek nxihet e erret, diellin që nuk ndriçon më, si dhe retë e zemëruara e hijerënda! Sa e tmerrshme është të presësh afrimin e frikshëm të një uragani, të presësh gjithë tmerr derisa era të shpërthejë me furi, duke i shkulur pemët nga rrënjët, duke i shkëputur shkëmbinjtë nga piedestalet e tyre dhe duke i rrënuar shtëpitë e njerëzve! 

E, megjithatë, o njeri mëkatar, kjo është pozita jote e tanishme. Deri tani nuk kanë rënë pika të nxehta, por një rrebesh zjarri po afrohet. Asnjë erë e tërbuar nuk po ulërin përreth teje, por stuhia e Perëndisë po e mbledh artilerinë e saj të tmerrshme. Deri tani, diga e mëshirës vazhdon t’i mbajë të bllokuara ujërat e përmbytjes, por portat e saj do të hapen shumë shpejt. Shkreptimat e Perëndisë gjenden ende në depon e Tij, stuhia po afrohet dhe sa i tmerrshëm do të jetë ai çast kur Perëndia, i ngjeshur me hakmarrje, do të marshojë me furi! 

Vallë, ku, ku, ku do ta fshehësh kokën, o mëkatar, ose nga do t’ia mbathësh? Oh, të drejtoftë dora e mëshirës për te Krishti tani! Atë e gjen lehtësisht në Ungjill: brinja e tij e shpuar është vendi i strehimit. Ti e di se sa nevojë ke për Të; pra, beso tek Ai, dorëzoju Atij, dhe atëherë zemërimi do të ketë kaluar përgjithmonë.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin