Por Jona u ngrit për të ikur në Tarshish, larg pranisë së ZOTIT. Kështu zbriti në Jafa…
Jona 1:3
Në vend që të shkonte në Ninive për të predikuar Fjalën, ashtu siç e kishte urdhëruar Perëndia, Jona e përbuzi detyrën e ngarkuar dhe zbriti në Jafa për t’iu shmangur asaj. Ka disa raste kur shërbëtorët e Perëndisë i bëjnë bisht detyrës së ngarkuar. Mirëpo, cilat janë pasojat e veprimit të tyre? Çfarë humbi Jona për shkak të sjelljes së tij? Ai humbi praninë dhe shijimin e patrazuar të dashurisë së Perëndisë. Kur i shërbejmë Zotit tonë Jezus, ashtu siç duhet të shërbejnë besimtarët, Perëndia është me ne; dhe nëse Perëndia është në anën tonë, megjithëse e gjithë bota mund të jetë kundër nesh, ç’rëndësi ka vallë kjo, apo jo? Mirëpo, atëherë kur zmbrapsemi dhe përpiqemi të ndjekim planin tonë, është njëlloj sikur të ishim në det të hapur pa timonier. Atëherë, nuk na mbetet asgjë tjetër veçse të vajtojmë dhe psherëtijmë: “O Perëndia im, ku ke shkuar? Si ka mundësi që isha kaq i marrë sa t’i shmangesha shërbimit Tënd, duke humbur kështu shkëlqimin e ndritshëm të fytyrës Sate? Ky është një çmim shumë i shtrenjtë për t’u paguar. Lërmë të kthehem te besnikëria ime, që të mund të ngazëllehem në praninë Tënde.”
Së dyti, Jona humbi gjithë qetësinë shpirtërore. Pa humbur kohë, mëkati e shkatërron paqen e besimtarit. Është si ajo pema helmuese, nga gjethet e së cilës pikon helmi vdekjeprurës, që shkatërron jetën e gëzimit dhe të paqes. Jona humbi gjithçka në të cilën mund të kishte gjetur ngushëllim në çfarëdo situate tjetër. Ai nuk mund të kërkonte premtimin e mbrojtjes hyjnore, sepse kishte dalë nga udha e Perëndisë, dhe nuk mund të thoshte: “Zot, po ndeshem me këto vështirësi në kryerjen e detyrës sime; prandaj, të lutem, më ndihmo t’i kapërcej ato!”. Ai po korrte atë çfarë kishte mbjellë dhe ishte i mbushur plot me udhët e tij.
I krishterë, mos luaj rolin e Jonës, nëse nuk do që të të vërtiten mbi kokë të gjitha dallgët dhe shkulmet! Me kalimin e kohës do ta kuptosh se është më e vështirë t’i shmangesh punës dhe vullnetit të Perëndisë, sesa t’u nënshtrohesh atyre menjëherë. Jona e humbi kohën e tij, sepse në fund të fundit iu desh të shkonte në Ninive. Vështirë se mund të luftohet me Perëndinë, prandaj, le të dorëzohemi përpara Tij pa humbur kohë!
© dritez.al 2024