Ngjitu mbi një mal të lartë!
Isaia 40:9
Për ne, njohja e Krishtit është pak a shumë sikur t’i ngjitesh një prej maleve të Wales-it. Kur gjendesh rrëzë tyre, nuk sheh shumë larg: vetë mali të duket i lartë vetëm sa gjysma e lartësisë së tij të vërtetë. I ndodhur brenda një luginëze, nuk të zë syri gjë tjetër veç përrenjve shkumëzues tek zbresin drejt e në lumë në rrëzë të malit. Ngjitesh në majë të kodrinës së parë, dhe lugina zgjatet e zgjerohet poshtë këmbëve të tua. Ngjitesh më lart, dhe pastaj sheh vendin në një rreze prej shtatë ose tetë kilometrash dhe kënaqesh me panoramën që zgjerohet para teje. Vazhdon ngjitjen dhe fushëpamja zmadhohet derisa, në fund, kur je në majë dhe e hedh vështrimin në lindje, perëndim, veri dhe jug, ti sheh pothuaj gjithë Anglinë që shtrihet poshtë teje. Ja ku shohim një pyll që gjendet në një qark të largët, ndoshta 300 kilometra larg; më tutje duket deti dhe diku atje një lumë i argjendtë e oxhaqet tymosëse të një qyteti industrial ose direkët e anijeve të një porti të zhurmshëm. Të gjitha këto të ofrojnë kënaqësi dhe ti thua me vete: “As që ma merrte mendja se mund të shihja kaq shumë gjëra prej kësaj lartësie.”
E këtillë është edhe jeta e krishterë. Kur sapo kemi besuar në Krishtin, shohim vetëm pak prej Tij. Sa më lart që ngjitemi, aq më shumë zbulojmë nga bukuria e Tij. Mirëpo, kush vallë ka mbërritur ndonjëherë deri në majë? Kush i ka njohur të gjitha lartësitë dhe thellësitë e dashurisë së Krishtit, të cilat ia tejkalojnë çdo njohurie? Pali, kur ishte mplakur e thinjur, dhe dridhej në një qeli burgu në Romë, mund të thoshte me më shumë patos sesa të gjithë ne: “E di kujt i kam besuar” (2 e Timoteut 1:12), sepse, për të, çdo përvojë kishte qenë si ngjitja e një kodre, çdo sprovë kishte qenë si ngjitja e një maje tjetër, ndërsa vdekja e tij ngjante me arritjen e majës së malit, nga i cili mund të shihte të gjithë panoramën e besnikërisë dhe dashurisë së Atij të cilit ia kishte besuar shpirtin e vet. Eja, miku im, dhe ngjitju përpjetë malit të lartë!
© dritez.al 2024