spurgeon dev 25 qershor pm
Qershor 2023

Por pëllumbi nuk gjeti dot vend ku të mbështeste këmbën e vet.

Zanafilla 8:9

Lexues, a mund të gjesh vallë prehje diku tjetër përveçse në arkën tënde, Krishtin Jezus? Atëherë dije mirë se besimi yt mund të jetë i kotë. Vallë, a je i kënaqur me ndonjë gjë më pak sesa njohja e bashkimit tënd me Krishtin dhe e interesit tënd në Të? Atëherë, mjerë ti! Në qoftë se me gojë shpall se je i krishterë, ndërkohë që kënaqësi të plotë të falin vetëm zbavitjet dhe dëfrimet e kësaj bote, atëherë besimi që shpall, ndoshta është i rremë. Në qoftë se shpirti yt mund të rehatohet në dhomat e mëkatit, duke gjetur shtratin e përshtatshëm dhe shtresa e mbulesa që bëjnë për të, atëherë je një hipokrit; je shumë larg mendimeve që i shkojnë për shtat Krishtit, dhe nuk ke një kuptim të qartë të vlerës së Tij të pamasë.

Mirëpo, nëse, nga ana tjetër, të duket se mund të vazhdosh të mëkatosh pa u ndëshkuar, në vetvete, ky do të ishte një dënim për ty; edhe nëse do ta kishe të gjithë botën në duart e tua dhe të jetoje në të përjetë, shpirti yt nuk do të ishte aspak i lumtur me një gjë të tillë, sepse Perëndia yt—Perëndia yt—është gjithçka që të dëshiron shpirti. Prandaj, merr zemër, ti je një fëmijë i Perëndisë! Me gjithë mëkatet dhe të metat e tua, konsideroje këtë ngushëllimin tënd: nëse shpirti yt nuk gjen prehje në mëkat, atëherë nuk je si mëkatarët e tjerë! Në qoftë se vazhdon të kërkosh me ngulm dhe të lakmosh diçka më të mirë, Krishti nuk të ka harruar, sepse as ti nuk e ke harruar Atë plotësisht.

Besimtari nuk bën dot pa Zotin e tij; fjalët janë të paafta për të shprehur mendimet e tij për Të. Nuk mund të jetojmë dot në rërat e shkretëtirës—ne duam manën që bie nga lart; shtambat e vetëbesimit nuk mund të na japin dot as një pikë ujë, por ne pimë nga shkëmbi që na ndjek pas, dhe ai shkëmb është Krishti. Kur ushqehesh me Të, shpirti yt mund të këndojë: “Ai ngop me të mira gojën time dhe më bën të ri si shqiponja” (Psalmi 103:5). Mirëpo, në qoftë se nuk e ke Atë, qilari yt i verës dhe depoja jote e ushqimeve, e mbushur përplot, nuk mund të të falin asnjë kënaqësi: mëso të vajtosh mbi to me këto fjalë urtësie: “Kotësi e kotësive, gjithçka është kotësi!”.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin