qershor 25

Qershor 2022


Lakmia mund ta shkatërrojë shpirtin përjetë në ferr.

Arsyeja pse jam i sigurt që ky shkatërrim nuk është një humbje e përkohshme financiare, por shkatërrim përfundimtar në ferr, është ajo që Pali thotë tre vargje më pas te 1 e Timoteut 6:12. Ai thotë se lakmisë duhet t’i rezistojmë me luftën e besimit. Pastaj, ai shton: “Rrok jetën e përjetshme, në të cilën edhe u thirre dhe për të cilën ke bërë rrëfimin e mirë të besimit.” Në braktisjen e lakmisë dhe në luftën për kënaqësi me anë të besimit në hirin e ardhshëm, vihet në diskutim jeta e përjetshme.

Prandaj, kur Pali thotë te 1 e Timoteut 6:9 që dëshira për t’u pasuruar i plandos njerëzit në rrënim, nuk po thotë se lakmia mund të të prishë martesën ose biznesin (që sigurisht mund ta bëjë!). Ai po thotë se lakmia mund të prishë përjetësinë tuaj. Ose siç thotë në fund edhe 1 e Timoteut 6:10: “Duke e lakmuar atë fort, disa u larguan nga besimi dhe e tejshpojnë veten e tyre me shumë dhimbje.”

Perëndia ka bërë çmos në Bibël për të na paralajmëruar me mëshirë që idhujtaria e lakmisë është një situatë në të cilën s’mund të fitosh. Ajo është një udhë pa krye në kuptimin më të keq të fjalës. Është një hile dhe një grackë vdekjeprurëse.

Prandaj, fjala ime për ju është fjala e 1 e Timoteut 6:11: “Arratisu nga këto.” Kur e sheh të afrohet (në një reklamë në televizor, në një katalog për Krishtlindje, në një reklamë në internet, apo kur sheh fqinjin që ka blerë diçka), arratisuju lakmisë ashtu si do të vrapoje nga një luan vrumbullues dhe i uritur, i cili ka dalë nga kopshti zoologjik. “Rrok jetën e përjetshme.”


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia