qershor 26

Qershor 2022


Ekziston një frikë skllavëruese, e cila na largon nga Perëndia dhe ekziston një frikë e ëmbël, e cila na tërheq te Perëndia. Moisiu i paralajmëroi për të parën dhe u kërkoi të demonstronin të dytën në të njëjtin varg. Eksodi 20:20: “Moisiu i tha popullit: ‘Mos u trembni, sepse Perëndia erdhi që t’ju provojë dhe me qëllim që frika e tij të jetë gjithmonë para jush, dhe kështu të mos mëkatoni.’”

Ilustrimi më i qartë që kam parë ndonjëherë për këtë lloj frike të mirë ishte rasti kur një nga djemtë tanë pa në sy një qen të racës gjermane. Ne kishim shkuar për vizitë në një familje të kishës tonë. Djali im, Karsten, ishte pothuajse shtatë vjeç. Familja kishte një qen të madh, i cili ishte në këmbë sa një djalë shtatëvjeçar.

Qeni ishte miqësor dhe Karsten nuk e kishte problem të zinte miq, por kur e dëguam Karsten te makina për të marrë diçka që e kishim harruar, ai nisi të vraponte dhe qeni u lëshua shigjetë pas tij duke lehur. Sigurisht që kjo e frikësoi Karsten, por i zoti i qenit i tha: “Karsten, pse nuk ecën më mirë? Qenit nuk i pëlqen kur njerëzit largohen me vrap prej tij.”

Nëse Karsten e përqafonte qenin, ai ishte miqësor dhe i lëpinte fytyrën, por nëse ai vraponte nga qeni, ai hungërinte dhe e mbushte Karsten me frikë.

Kjo është një tablo e asaj se çfarë do të thotë të kesh frikë Zotin. Perëndia ka për qëllim që fuqia dhe shenjtëria e Tij të ngjallin frikë në ne, jo që të na largojë prej Tij, por që të na shtyjë drejt Tij. Të kesh frikë Perëndinë do të thotë, së pari të kesh frikë se mos e braktis Atë si sigurinë dhe kënaqësinë tënde të madhe.

Ose një mënyrë tjetër për ta thënë është që duhet të kemi frikë nga mosbesimi. Frikë se mos nuk i zëmë besë mirësisë së Perëndisë. A nuk është kjo ideja e Romakëve 11:20? “Ti qëndron për shkak të besimit; mos u mbaj me të lartë, por druaj.” Domethënë, ajo nga e cila duhet të kemi frikë nuk është besimi, por të mos pasurit besim. Të kemi frikë se mos largohemi nga Perëndia. Megjithatë nëse ecim me Të dhe e përqafojmë, Ai do të jetë miku dhe mbrojtësi ynë përjetë.


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia
>