“Çohu, mikja ime, e bukura ime, dhe eja!”
Kënga e Këngëve 2:10
Ja, po dëgjoj zërin e Shumë të dashurit tim tek më flet! Moti i mirë po i buzëqesh faqes së dheut dhe Ai nuk do të më lërë në përgjumje frymërore, ndërkohë që natyra zgjohet përreth meje nga letargjia dimërore. Ai më urdhëron: “Çohu!”, dhe me të drejtë e bën këtë, sepse për shumë kohë jam dergjur mes ferrave të botës. Ai është ngritur dhe unë jam ngritur në Të; atëherë, përse duhet të dergjem ende në pluhur? Dua të ngrihem mbi dashuritë, dëshirat, kërkimet dhe aspiratat e ulëta, dua të ngjitem tek Ai.
Ai më thërret me titullin e ëmbël “mikja ime” dhe më konsideron “të bukur”; pra, kjo është një arsye e mirë për t’u çuar. Nëse Ai më ka lartësuar dhe nëse mendon se jam tërheqëse, atëherë, si mund të qëndroj më gjatë në shatorret e ligësisë dhe të shkoj pas shoqërive të këqija? Ai më urdhëron: “Eja!”; gjithnjë e më larg nga çdo gjë egoiste, puthadore, mëkatare dhe e përbotshme. Po, Ai më thërret që t’i largohem kësaj bote në dukje fetare, e cila nuk e njeh Atë dhe nuk ushqen kurrfarë interesi për misterin e perëndishmërisë. “Eja!”, kjo fjalë nuk tingëllon fare ashpër në veshët e mi, sepse çfarë mund të më mbajë më gjatë në këtë shkretëtirë kotësie dhe mëkati?
O Zoti im, ah, sa do të doja të vija bashkë me ty, por më kanë zënë gjembat dhe ferrat, dhe nuk mund t’u shpëtoj atyre edhe sikur të doja! Nëse do të ishte e mundur, nuk do të doja të kisha as sy, as veshë dhe as zemër për mëkatin. Ti më thërret te Vetja duke më thënë: “Eja!”, dhe kjo thirrje është vërtet melodioze. Ardhja për te Ti është si kthimi nga mërgimi, si zbarkimi në tokë pas një stuhie të furishme, si prehja pas një pune të mundimshme, si arritja e kulmit dhe përmbushjes së dëshirave të mia.
Mirëpo, Zot, si mund të ngrihet vallë një gur? Si mund të shkëputet vallë një copë argjile nga humnera e tmerrshme? Oh, të lutem, më ngri lart; më tërhiq me anë të hirit Tënd! Dërgoje Frymën Tënde të Shenjtë që t’i ndezë flakët e shenjta të dashurisë në zemrën time, dhe unë do të vazhdoj të ngjitem, derisa një ditë ta lë jetën dhe kohën pas vetes dhe me të vërtetë të vij te Ti!
© dritez.al 2024