Prill 2023

“Nëse dikush dëgjon zërin tim dhe hap derën, do të hyj tek ai.”

Zbulesa 3:20

Cila është dëshira jote këtë mbrëmje? A është e përqendruar në gjërat qiellore? A po digjesh nga dëshira për të shijuar doktrinën sublime të dashurisë së përjetshme? A e dëshiron vallë lirinë që të sjell përbashkësia intime me Perëndinë? A aspiron t’i njohësh lartësitë, thellësitë, gjatësitë dhe gjerësitë e dashurisë së Tij? Atëherë duhet t’i afrohesh Jezusit; duhet të përftosh një pamje të qartë të vlerës së paçmuar dhe plotësisë së Tij: duhet ta vështrosh Atë në veprën e Tij—në rolin e Tij si profet, mik dhe mbret—dhe në personin e Tij. Ai që e njeh Krishtin, merr një vajosje nga i Shenjti, me anë të së cilës i kupton të gjitha gjërat. Krishti është çelësi i madh kopil i të gjitha odave të Perëndisë, dhe nuk ekziston asnjë sallë thesari e Perëndisë, e cila nuk do të hapet dhe nuk do t’ia vërë në dispozicion gjithë pasurinë e vet shpirtit që jeton pranë Jezusit.

A mos po thua vallë: “Ah, sikur Ai të jetonte në zemrën time dhe ta bënte atë banesën e Tij të përhershme!”? Hape derën, shumë i dashur, dhe Ai do të hyjë në shpirtin tënd! Ka kohë që Ai po troket në derën tënde dhe e bën këtë me të vetmin synim, që të hajë darkë me ty dhe ti me Të. Ai ha darkë me ty, sepse ti siguron shtëpinë ose zemrën, dhe ti me Të, sepse Ai siguron ushqimin. Nuk do të mund të hante darkë me ty nëse nuk do t’ia kishe ofruar zemrën tënde si shtëpi; as ti nuk do të mund të haje darkë me Të, sepse do ta kishe bosh tryezën, nëse Ai nuk do të sillte nozullime me vete.

Prandaj, hapi dykanatësh dyert e shpirtit tënd! Ai do të vijë me atë dashuri që ti dëshiron me zjarr ta ndiesh; Ai do të vijë me atë gëzim që nuk mund ta ngjallësh dot vetë në frymën tënde të gjorë e të shkurajuar; Ai do të sjellë paqen, të cilën tani nuk e ke; Ai do të vijë me brokat e verës dhe mollët e ëmbla të dashurisë, dhe do të të gëzojë derisa të mos kesh asnjë sëmundje tjetër, përveç asaj të dashurisë ngadhënjimtare dhe hyjnore. Vetëm hapja derën Atij, shporri armiqtë e Tij dhe jepja Atij çelësat e zemrës sate, dhe Ai do të banojë aty për jetë e mot! Oh, ç’dashuri e mrekullueshme e cila sjell një mysafir të tillë, që të banojë në një zemër si kjo!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin