spurgeon dev 25 nëntor am
November 2023

“…për të shpallur çlirimin e të burgosurve.”

Luka 4:18

Askush, përveç Jezusit, nuk mund t’i çlirojë të burgosurit. Liria e vërtetë vjen vetëm prej Tij. Është një liri e dhuruar me drejtësi; sepse Biri, i cili është Trashëgimtari i gjithçkaje, gëzon të drejtën për t’i çliruar njerëzit.

Shenjtorët e nderojnë drejtësinë e Perëndisë, e cila tashmë u siguron shpëtimin. Është një liri që është blerë me një çmim të shtrenjtë. Krishti e shpall atë me anë të fuqisë së Tij, ama e bleu me të Vetin gjak. Ai vërtet të çliron, por e bën këtë me anë të prangave të Tij.

Tani je i lirë, sepse Ai e barti barrën tënde për ty: je çliruar, sepse Ai ka vuajtur në vendin tënd.

Mirëpo, megjithëse liria është blerë me çmim të shtrenjtë, Jezusi e jep falas. Ai nuk kërkon asgjë prej nesh si parapërgatitje për këtë liri. Ai na gjen tek dergjemi në hi, të veshur me thasë, dhe na fton që të vishemi me petkat e përshtatshme të lirisë; Ai na shpëton në gjendjen që jemi, dhe pa ndihmë prej nesh.

Kur Jezusi na çliron, këtë liri e gëzojmë përjetësisht; nuk ka më asnjë zinxhir që të na lidhë sërish. Mjafton që Mësuesi të më thotë: “Unë të kam çliruar, o i burgosur”, dhe kjo gjë është bërë një herë e përgjithmonë.

Qoftëlargu mund të komplotojë për të na skllavëruar, por në qoftë se Zoti është në anën tonë, prej kujt mund të kemi frikë? Bota, me gjithë tundimet e saj, mund të përpiqet të na zërë në kurth, por Ai që është në anën tonë, është më i fortë sesa gjithë ata që kemi kundër. Makinacionet e zemrave tona mashtruese mund të na sfilitin e të na e sjellin në majë të hundës, por Ai që e ka nisur punën e mirë në ne, do ta çojë atë deri në fund. Armiqtë e Perëndisë dhe kundërshtarët e njeriut mund t’i mbledhin forcat e tyre bashkë dhe të sulen kundër nesh me një furi të përqendruar, por kush mund të na padisë në qoftë se Perëndia na nxjerr të pafajshëm?

Shpirti i çliruar nga Krishti është po aq i lirë, sa edhe shqiponja që fluturon drejt folesë së vet në shkrepa, dhe pastaj ngrihet lart përmbi re. Në qoftë se nuk jemi më nën ligj, por të çliruar nga mallkimi i tij, atëherë le të shfaqet liria jonë në praktikë teksa i shërbejmë Perëndisë me mirënjohje dhe kënaqësi. “Unë jam me të vërtetë shërbëtori yt, o ZOT, jam shërbëtori yt, bir i shërbëtores sate; ti i këpute lidhjet e mia” (Psalmi 116:16).


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin