spurgeon dev 25 nëntor pm
November 2023

Sepse ai i thotë Moisiut: “Do të kem mëshirë për atë që do të kem mëshirë, dhe do të kem dhembshuri për atë që do të kem dhembshuri”.

Romakëve 9:15

Me anë të këtyre fjalëve, me një qartësi që shkon përtej çdo dyshimi, Zoti i njeh Vetes të drejtën për ta dhënë ose për ta mbajtur mëshirën e Vet në përputhje me vullnetin e Tij sovran. Duke qenë se e drejta për jetë a vdekje i takon monarkut, kështu edhe Gjykatësi i mbarë dheut gëzon të drejtën për ta falur ose për ta dënuar fajtorin, ashtu siç mund t’i duket më e arsyeshme. Për shkak të mëkateve të tyre, njerëzit kanë humbur çdo të drejtë për ta ngritur zërin përpara Perëndisë. Meritojnë humbjen për mëkatet e tyre—edhe në qoftë se të gjithë humbasin, nuk kanë asnjë arsye për t’u ankuar. Nëse Zoti ndërhyn për të shpëtuar ndonjë, Ai mund ta bëjë në qoftë se nuk shkelen qëllimet e drejtësisë; por nëse e sheh të arsyeshme që t’i lërë të dënuarit të vuajnë ndëshkimin e tyre të drejtë, askush nuk mund t’i kërkojë dot llogari Atij. 

Të marra, të pafytyra dhe injorante janë të gjitha ato ligjërata në mbrojtje të të drejtave të njerëzve për të qenë në të njëjtin nivel; edhe më keq akoma janë të gjitha argumentimet që ngrihen kundër hirit dallues, të cilat nuk janë veçse rebelimet e natyrës krenare njerëzore kundër sundimit të Perëndisë. Kur na jepet mundësia për të parë shkatërrimin tonë të plotë dhe drejtësinë e vendimit hyjnor kundër mëkatit, nuk vazhdojmë ta përqeshim të vërtetën që Zoti nuk e ka aspak për detyrim të na shpëtojë; atëherë nuk murmurisim nëse Ai zgjedh t’i shpëtojë të tjerët, sikur të ishte duke na bërë ndonjë padrejtësi, por e kuptojmë që, nëse denjon ta hedhë vështrimin mbi ne, ky do të jetë një akt mirësie të pamerituar e të dhënë falas prej Zotit, për të cilën do ta bekojmë emrin e Tij për jetë e mot.

Si do të mund ta adhurojnë mjaftueshëm hirin e Perëndisë ata që përfitojnë prej zgjedhjes hyjnore? Nuk kanë asnjë arsye për t’u mburrur, sepse sovraniteti e përjashton një gjë të tillë në mënyrën më të efektshme të mundshme. Vetëm vullneti i Zotit përlëvdohet, ndërsa vetë koncepti i meritës njerëzore flaket tutje në përbuzje të përjetshme. Nuk ka doktrinë më përulëse në Shkrim sesa ajo e zgjedhjes, nuk ka doktrinë që të jep më shumë shkas për mirënjohje sesa ajo, dhe si rrjedhojë nuk ka një doktrinë tjetër që të ketë një ndikim më të madh shenjtërues sesa kjo. Besimtarët nuk duhet t’i druhen aspak asaj, por përkundrazi, duhet të ngazëllejnë me adhurim në të.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin