Mars 2023

“Ti po e tradhton Birin e njeriut me një puthje?”

Luka 22:48

“Të rreme janë të puthurat e një armiku.” U ruajtsha edhe më shumë kur bota më sheh me një fytyrë të qeshur, sepse me t’iu dhënë rasti do të më tradhtojë edhe mua, ashtu siç tradhtoi Mësuesin tim, me një puthje! Sa herë që dikush gatitet t’ia ngulë thikën pas shpine besimit, përpara se ta bëjë këtë, ai flet fjalë shumë nderuese për të. U ruajtsha nga hipokrizia fytyrëqeshur, sepse ajo është armëmbajtësja e herezisë dhe e besëshkeljes! 

Duke e ditur se sa lehtësisht mashtrohen të paudhët, qofsha i mençur porsi gjarpri, për të zbuluar dhe mënjanuar planet e armikut! Djali i ri që s’kishte gjykim, doli nga udha e drejtë për shkak të puthjes së gruas së huaj. U udhëzoftë shpirti im me kaq shumë hir sot, me qëllim që zërat joshës të botës të mos kenë ndikim mbi mua! Frymë e Shenjtë, të lutem, mos lejo që unë, një bir i brishtë njeriu, të tradhtohem me një puthje! 

Mirëpo, po sikur ta kisha kryer edhe unë mëkatin e tmerrshëm të Judës, birit të humbjes? Unë jam pagëzuar në emër të Zotit Jezus; jam anëtar i një bashkësie besimtarësh; marr pjesë në Darkën e Zotit: të gjitha këto janë kaq shumë puthje të buzëve të mia. A janë të sinqerta puthjet e mia? Nëse jo, atëherë jam një tradhtar i poshtër. A mos jetoj vallë në këtë botë aq i shkujdesur sa të tjerët, dhe nga ana tjetër shpall se jam një nxënës i Jezusit? Nëse është kështu, atëherë po e ekspozoj besimin tim ndaj përqeshjeve dhe jam duke i bërë njerëzit të flasin keq për vetë titullin i krishterë. Natyrisht, nëse jeta dhe vepra ime janë kaq kontradiktore, atëherë jam një Judë, dhe do të kishte qenë më mirë për mua sikur të mos kisha lindur fare. A guxoj të shpresoj se jam i pafajshëm në këtë drejtim? Atëherë, bëj që të jem i tillë, o Zoti im! Bëmë, o Zot, të sinqertë dhe të vërtetë! Më ruaj nga çdo shteg falsiteti! Mos më lër kurrë që ta tradhtoj Shpëtimtarin tim! Unë të dua ty, Zoti Jezus, dhe megjithëse të lëndoj herë pas here, prapëseprapë dëshiroj të të qëndroj besnik, madje deri në vdekje. 

O Perëndi, larg qoftë që sot të jem një rrëfyes i zjarrtë i besimit, dhe pastaj, kur ta lëshoj shpirtin, të bie në liqenin e zjarrit, për shkak se e tradhtova Mësuesin tim me një puthje!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin