“Biri i Njeriut.”
Gjoni 3:13
Sa shpesh e përdorte Mësuesi ynë titullin: “Biri i Njeriut”! Kishte të drejtën dhe mundësinë ta quante veten Bir të Perëndisë, Atë të Përjetshëm, Këshilltar të Admirueshëm, Princ të Paqes; por shihni sesa i përulur është Jezusi! Atij ia ka ënda që ta thërrasin “Biri i Njeriut”. Le ta marrim këtë mësim përulësie nga Shpëtimtari ynë, pra, le të mos lakmojmë kurrë tituj pompozë dhe as grada sublime. Megjithatë, duhet theksuar një pikë tjetër akoma më interesante. Jezusi e donte kaq shumë njerëzimin, saqë e kishte për kënaqësi që ta nderonte. Meqënëse fakti që Jezusi është Biri i Njeriut, është një nder i madh, madje, me thënë të drejtën, nderimi më i lartë që i bëhet njerëzimit, Ai është i gatshëm që ta bëjë të njohur këtë emër, me qëllim që t’i vendosë dekoratat mbretërore mbi kraharorin e njerëzimit dhe ta shfaqë dashurinë e Perëndisë ndaj pasardhjes së Abrahamit. Biri i Njeriut—sa herë që e përdori këtë titull, Ai përhapte një aureolë mbi kokat e fëmjëve të Adamit. E megjithatë, nuk duhet të lëmë pa theksuar edhe një pikë tjetër, ndoshta edhe më të veçantë. Jezu Krishti e quajti veten Biri i Njeriut për të shprehur të qenët një me popullin e Tij dhe identifikimin e Tij me ta. Në këtë mënyrë na kujton se mund t’i afrohemi Atij pa pasur pikë frike. Duke qenë se është njëri prej nesh, mund t’ia çojmë Atij të gjitha vuajtjet dhe hallet tona, sepse Ai i njeh ato nga përvoja, dhe meqenëse Ai Vetë ka vuajtur si “Biri i Njeriut”, është i aftë që të na shpëtojë dhe të na ngushëllojë. Ne të bekojmë ty, Zoti Jezus, që e përdor një titull të tillë, për të na treguar se Ti je një vëlla. Kjo gjë është për ne një simbol i hirit Tënd, i përulësisë dhe i dashurisë Sate.
Oh, shiko si e jep veten Jezusi
Pas dashurisë sonë fëminore,
Sikur me çiltërsinë e Tij
Zellin tonë ta provonte!
Mbi tokë të tijin emër t’shenjtë
Do ta dëgjoj’ me fjal’ të thjesht’;
E Tij nuk është madhështia
Që t’i qëndrojë larg dashuria.
© dritez.al 2024