spurgeon dev 25 korrik am
July 2023

Por ai ia la në dorë rrobën e tij, iku dhe vrapoi jashtë.

Zanafilla 39:12

Kur ndeshemi me disa mëkate të caktuara, nuk na mbetet mënyrë tjetër për t’u rezistuar atyre, veçse t’ia mbathim. Natyralistët e lashtë shkruan gjerë e gjatë rreth gjarprinjve helmues, sytë e të cilëve i magjepsnin viktimat e tyre dhe i kthenin ato në pre të lehta. Po kështu, mjafton vetëm shikimi i ligësisë për të na vënë në rrezik të madh. Ai që dëshiron t’u shpëtojë veprave të liga, duhet t’u largohet si djalli nga temjani mundësive për t’i kryer ato. Duhet bërë një besëlidhje me sytë tanë, që as të mos ia hedhim fare sytë shkakut të ngasjes, sepse mëkate të tilla kanë nevojë vetëm për një shkëndijë të vetme dhe sakaq ndizet një zjarr i madh.

Kush guxon të hyjë shkujdesshëm në kthinat e ndyra të lebrosëve dhe të flejë mes prishjes së tyre të tmerrshme? Vetëm ai që dëshiron të jetë lebros. Në qoftë se detari do ta dinte se si t’i shmangej një stuhie, ai do të bënte gjithçka për t’i evituar rreziqet e saj. Timonierëve të kujdesshëm as që u shkon në mendje ta provojnë se sa afër vendeve të rrezikshme mund të lundrojnë, apo sa shpesh mund ta prekin një shkëmb pa hapur ndonjë të çarë në anije, sepse synimi i tyre është që ta mbajnë anijen sa më në qendër të një kanali të sigurt. 

Madje edhe sot mund të jem i ekspozuar ndaj ndonjë rreziku të madh; prandaj, paça urtësinë e gjarprit për t’i qëndruar larg dhe për t’iu shmangur atij! Sot, krahët e pëllumbit mund të më hyjnë një mijë herë më tepër në punë sesa nofullat e luanit. Është e vërtetë se, në pamje të parë, mund të dukem si dështak po qe se i shmangem shoqërisë së keqe, por më mirë t’ua lë rrobën time në dorë, sesa të humb karakterin; nuk është e nevojshme që të jem i pasur, por duhet medoemos të jem i dëlirë. Asnjë lidhje miqësie, asnjë magjepsje bukurie, asnjë shkrepje talenti dhe asnjë shigjetë talljeje nuk duhet të më kthejë nga vendosmëria e urtë për të rendur larg mëkatit.

Duhet t’i rezistoj të paudhit, dhe ai do të largohet prej meje; por duhet t’ia mbath me të katra larg epsheve të mishit, ose, përndryshe, ato do të më mposhtin. O Perëndi i shenjtërisë, na ruaj si Jozefin, që të mos magjepsemi nga joshjet e liga dhe dinake të tundueses! Mos na mposhttë kurrë trinia e ndyrë e përbërë nga bota, mishi dhe i paudhi!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin