“...në mjerimin e tyre do të më kërkojnë me zell.”
Osea 5:15
Humbjet dhe fatkeqësitë janë shpeshherë mjetet që përdor Bariu i madh për t’i sjellë në shtëpi delet e Tij endacake; porsi qen egërshanë i grumbullojnë dhentë sërish në vathë. Nuk kemi se si t’i zbutim luanët kur ata janë të mirëushqyer. Duhet t’ua plogështosh fuqinë dhe t’i lësh barktharë njëherë, dhe vetëm atëherë do t’i nënshtrohen dorës së zbutësit. Po kështu, shumë shpesh e kemi parë të krishterin tek i bindet vullnetit të Zotit për shkak të mungesës së bukës dhe punës së vështirë që bën. Kur janë të pasur dhe me të mirat që u bëhen kapicë, shumë besimtarë bëhen kryelartë dhe zënë e flasin me mburrje. Porsi Davidi, edhe ata nisin e ia bëjnë qejfin vetes: “Mali im është fortësuar; unë nuk do të lëvizem kurrë” (shih Psalmi 30:6-7).
Sa herë që pasurohet, fiton një emër të mirë, është mirë me shëndet dhe krijon një familje të lumtur, i krishteri e fton shpesh z. Siguri Mishërore* të darkojë në tryezën e tij. Pastaj, nëse është vërtet fëmijë i Perëndisë, e pret fshikulli që po bëhet gati për të. Pa prit pak, pa shih pak se si shkrihen zotërimet e tij, porsi një mirazh. Ja ku po ikën një pjesë e pronave të tij—sa shpejt ndërrojnë duar tokat e tij! Çfarë borxhi, ajo faturë e papaguar—sa shpejt që po i bien humbjet mbi kokë; kur do të mbarojnë ato vallë? Është një shenjë e bekuar jete hyjnore, në qoftë se, kur këto të zeza i bien mbi kokë njëra pas tjetrës, i krishteri nis e shqetësohet për besëprerjet e tij dhe kthehet sërish te Perëndia. Bekuar qofshin dallgët që e përplasin detarin te shkëmbi i shpëtimit!
Humbjet në tregti shpesh shenjtërohen për pasurimin e shpirtit tonë. Në qoftë se shpirti i zgjedhur nuk do të vijë duarplot te Zoti, do të vijë duarbosh. Në qoftë se Perëndia, në hirin e Tij, nuk gjen mjet tjetër për të na bërë që ta nderojmë mes njerëzve, me siguri që do të na zhysë thellë; po qe se nuk arrijmë ta nderojmë kur pasuritë tona janë në kulmin e tyre, Ai do të na zbresë në luginën e skamjes. Megjithatë, mos e humb toruan, o bir i pikëllimit, po qe se disiplinohesh kështu; përkundrazi, më mirë pranoje dorën e dashur që të ndëshkon, dhe thuaj: “Do të çohem dhe do të shkoj tek im Atë” (Luka 15:18).
*The Holy War (John Bunyan)
© dritez.al 2024