Janar 2022
Në këtë epokë, Perëndia i shpëton njerëzit e Tij nga disa lëndime, por jo nga çdo lëndim. Kjo na ngushëllon, sepse nisur nga lëndimi ynë mund të dilnim në përfundimin se Ai na ka braktisur apo na ka refuzuar.
Prandaj, inkurajohu nga kujtimi i thjeshtë se Pali dhe Sila nuk u çliruan te vargjet 19-24 të kapitullit 16 të Veprave, por në vargjet 25-26.
Si fillim, nuk pati çlirim:
- “I kapën Palin dhe Silën dhe i tërhoqën te sheshi i tregut.” (vargu 19)
- “Dhe pretorët ua grisën rrobat.” (vargu 22)
- “I rrahën me shumë goditje.” (vargu 23)
- Rojtari i burgut “ua shtrëngoi këmbët në dru.” (vargu 24)
Por pastaj, u çliruan:
"Por aty nga mesnata Pali dhe Sila po luteshin dhe i këndonin himne Perëndisë...por befas u bë një tërmet i madh...; dhe menjëherë u hapën të gjitha dyert dhe të gjithëve iu zgjidhën prangat." (vargjet 25-26)
Perëndia mund të kishte ndërhyrë më herët, por Ai nuk e bëri. Ai ka arsyet e Tij. Ai e do Palin dhe Silën.
Ja një pyetje për ty: Nëse e vendos jetën tënde në periudhën kohore mes vuajtjeve fillestare të Palit dhe çlirimit të mëvonshëm, në cilën pikë e gjen veten? A je në fazën ku je i zhveshur dhe i rrahur, apo në fazën ku janë zgjidhur prangat dhe dyert janë hapur krejt?
Të dyja janë faza ku Perëndia kujdeset për ty. Ai as të ka lënë dhe as të ka braktisur (Hebrenjve 13:5
Nëse je mes prangash, mos u dëshpëro. Këndo. Edhe pak dhe liria po vjen, edhe në ardhtë përmes vdekjes. “Ji besnik deri në vdekje dhe do të të jap kurorën e jetës” (Zbulesa 2:10)
John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.
Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.
©️ dritez.al 2022