Fruta e tij ishte e ëmbël në gojën time.
Kënga e Këngëve 2:3
Besimi përshkruhet në mënyra të ndryshme në Bibël. Ai është shikim: “Kthehuni nga unë dhe do të shpëtoni…” (Isaia 45:22). Është edhe dëgjim: “...dëgjoni dhe shpirti juaj do të jetojë…” (Isaia 55:3). Besimi është edhe nuhatje: “Tërë rrobat e tua mbajnë erë mirre, aloeje dhe kasie” (Psalmi 45:8); [por edhe] “...emri yt është një vaj i parfumuar i derdhur…” (Kënga e Këngëve 1:3). Besimi është prekje frymërore. Falë këtij besimi, gruaja [me fluks gjaku] iu qas Krishtit nga pas dhe i preku cepin e rrobës së Tij, dhe përmes këtij besimi, ne prekim gjërat e fjalës së mirë të jetës. Besimi është po ashtu shijimi i frymës. “Sa të ëmbla janë fjalët e tua në gojën time! Janë më të ëmbla se mjalti në gojën time” (Psalmi 119:103). “Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, ka jetë të përjetshme” (Gjoni 6:54).
Një nga veprat e para të besimit është dëgjimi. Ne e dëgjojmë zërin e Perëndisë jo vetëm me veshët tanë fizikë, por edhe me veshët frymërorë; e dëgjojmë atë si Fjalën e Perëndisë dhe besojmë se është e tillë; ky është dëgjimi i besimit. Atëherë mendja jonë e sheh të vërtetën ashtu siç na paraqitet; domethënë, e kuptojmë, e përkapim domethënien e saj; ky është shikimi i besimit. Pastaj zbulojmë vlerën e saj të paçmuar; fillojmë ta admirojmë dhe të zbulojmë se ç’erë të mirë mban; ky është besimi në aromën e tij. Pastaj përvetësojmë mëshirat që janë përgatitur për ne në Krishtin; ky është besimi në prekjen e tij. Paskëtaj vijnë kënaqësitë, paqja, ëndjet, përbashkësia, të cilat përbëjnë besimin në shijimin e tij. Çdonjëra nga këto vepra besimi përbën shpëtimin. Dëgjimi i zërit të Krishtit në frymën tonë, si zëri i pagabueshëm i Perëndisë, do të na shpëtojë; mirëpo, gjëja që na fal kënaqësi të vërtetë, është ai aspekt i besimit përmes të cilit provojmë dhe soditim që Zoti është i mirë. Kështu e pranojmë Krishtin, dhe përmes njohjes frymërore dhe të brendshme, Ai bëhet ushqimi i çmuar për shpirtrat tanë. Këtu mësojmë të rrimë në hijen e Tij, duke e “dëshiruar shumë” (Kënga e Këngëve 2:3) këtë gjë, dhe zbulojmë se fruta e tij është e ëmbël në gojën tonë.
© dritez.al 2024