spurgeon dev 25 gusht pm
August 2023

“Nëse ti beson me gjithë zemër, mund ta bësh.”

Veprat e Apostujve 8:37

Këto fjalë mund t’u përgjigjen të gjitha ngurrimeve që lexuesi i devotshëm mund të ketë në lidhje me mjetet e hirit [pagëzimi dhe Darka e Zotit]. Mbase po thua: “Kam druajtje të pagëzohem; është një gjë kaq solemne që ta shpall veten si të vdekur me Krishtin dhe të varrosur me të. Nuk ndihem i lirë për të ardhur te tryeza e Darkës së Zotit; druhem se mos vallë ha dhe pi dënim për veten, duke mos qenë i aftë ta dalloj trupin e Zotit.” Eja tani, fërgëllues i gjorë, Jezusi të ka dhënë liri—mos ki druajtje!

Në qoftë se në shtëpinë tënde do të vinte një i huaj, ai do të qëndronte te dera ose do të priste në korridor; ai as që do të ëndërronte të hynte i paftuar në shtëpinë tënde—pikërisht sepse nuk është në shtëpinë e vet. Mirëpo, fëmija yt, përkundrazi, gëzon liri të plotë në të; dhe e njëjta gjë ndodh edhe me fëmijën e Perëndisë. Një i huaj nuk mund të hyjë i paftuar aty ku një fëmijë mund të guxojë pa i bërë syri tërr. Nëse Fryma e Shenjtë të ka aftësuar që ta ndiesh frymën e birërimit, mund të pagëzohesh dhe ta marrësh pa frikë Darkën e Zotit. E njëjta rregull vlen edhe për privilegjet e brendshme të të krishterit. Ndoshta mendon se nuk ke të drejtë të ngazëllohesh me gëzim të papërshkrueshëm dhe të mbushur me lavdi; do të ishe më se i kënaqur po qe se do të të lejonin të futeshe në derën e Krishtit ose të uleshe në fund të tryezës së Tij. Mirëpo, nuk do të kesh më pak privilegje sesa shenjtori më i zellshëm.

Perëndia nuk bën dallime në dashurinë që ka për fëmijët e Vet. Fëmija është fëmijë për Të; Ai nuk do ta kthejë kurrë atë në një rrogëtar. Biri do të gostitet me viçin e majmur dhe do të këndojë e vallëzojë sikur të mos kishte dalë asnjëherë nga udha e drejtë. Kur Jezusi vjen në zemër, Ai lëshon një leje të përgjithshme për të qenë i gëzuar në Zotin. Nuk ka pranga në oborrin e Mbretit Jezus. Pranimi ynë për të marrë pjesë në shijimin e plotë të privilegjeve, mund të jetë gradual, por është i sigurt. Mbase lexuesi ynë po thotë: “Sa do të dëshiroja t’i gëzoja këto premtime dhe të ecja në liri në urdhëresat e Zotit tim!”. “Nëse ti beson me gjithë zemër, mund ta bësh.” Këputi zinxhirët nga qafa dhe jeto në liri, sepse Jezusi të çliron!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>