gusht 25

Gusht 2022


Nëse shpreson vetëm për dashuri të pakushtëzuar nga Perëndia, ke një shpresë shumë të mirë, por mjaft të vogël.

Dashuria e pakushtëzuar nga Perëndia nuk është përjetimi më i ëmbël i dashurisë së Tij. Përjetimi më i ëmbël është kur dashuria e Tij thotë: “Të kam bërë aq të ngjashëm me Birin tim, saqë kënaqem të të shoh dhe të jem me ty. Ti je kënaqësi për mua, sepse rrezaton kaq fort lavdinë time.”

Përjetimi më i ëmbël është i kushtëzuar në transformimin tonë në ata lloj njerëzish, emocionet, zgjedhjet dhe veprimet e të cilëve i pëlqejnë Perëndisë.

Dashuria e pakushtëzuar është burimi dhe themeli i transformimit njerëzor, e cila e bën të mundur ëmbëlsinë e dashurisë së kushtëzuar. Nëse Perëndia nuk do të na donte në mënyrë të pakushtëzuar, Ai nuk do të hynte në jetët tona aspak tërheqëse, të na sillte në besim, të na bashkonte me Krishtin, të na jepte Frymën e Tij dhe të na bënte gjithnjë e më shumë si Jezusi.

Por kur Ai na zgjodhi në mënyrë të pakushtëzuar, kur dërgoi Krishtin të vdiste për ne, dhe na rilindi, Ai nisi një proces të pandalshëm transformimi, i cili na bën të lavdishëm. Ai na jep një shkëlqim, që përshtatet me llojin e Tij të preferuar: shkëlqimin e Tij.

Këtë e shohim tek Efesianëve 5:25-27: “Krishti deshi kishën dhe dha veten e tij për të [dashuri e pakushtëzuar], që ta shenjtërojë... që ta paraqesë atë përpara vetes së tij si një kishë të lavdishme”–gjendja në të cilën Ai gjen kënaqësi.

Është jashtëzakonisht e mrekullueshme që Perëndia ta vendosë favorin e Tij në mënyrë të pakushtëzuar mbi ne, ndërkohë që ne jemi ende mëkatarë që nuk besojmë. Arsyeja përfundimtare pse kjo është e mrekullueshme, është që dashuria e Tij e pakushtëzuar na sjell në shijimin e përjetshëm të pranisë së Tij të lavdishme.

Ama kulmi i atij shijimi është që ne jo vetëm soditim lavdinë e Tij, por gjithashtu e reflektojmë atë. “Që të lëvdohet emri i Zotit tonë Jezu Krisht në ju dhe ju në të” (2 e Thesalonikasve 1:12).


John Piper është themeluesi dhe mësuesi i desiringGod.org si dhe president i kolegjit dhe seminarit Bethlehem. Ai ka shërbyer për 33 vjet si pastor i kishës baptiste Bethlehem, në Miniapolis, Minesota. Piper-i është autor i më shumë se 50 librave ku përfshihen Desiring God: Meditations of a Christian Hedonist dhe libri i tij më i ri Providence. Pesë prej librave të John Piper-it janë botuar edhe në gjuhën shqip, Mos e shko dëm jetën; Pesë pika – Drejt një përjetimi më të thellë të hirit të Perëndisë; Virusi Korona dhe Krishti; Lajm i mirë, gëzim i madh dhe Soditja dhe shijimi i Jezu Krishtit.

Shënim: Ju mund ta shpërndani këtë material, pa ndryshuar aspak përmbajtjen. Sigurohuni të citoni “botuar me leje nga dritez.al” dhe vendosni hallkën (linkun) e këtij artikulli nga faqja jonë në internet.

©️ dritez.al 2022


Postime të ngjashme

29 dhjetor – Një fat i tmerrshëm
28 dhjetor – Synimi është lavdia