Kështu ngopen drurët e Zotit.
Psalmi 104:16
Pema as mund të lulëzojë dhe madje as të ekzistojë pa ujë. Gjallëria është jetësore për të krishterin. Duhet të ketë jetë brenda nesh—një parim jetësor i injektuar në ne nga Perëndia Frymë e Shenjtë—ose përndryshe nuk mund të jemi pemët e Zotit. Të jesh i krishterë sa për emër është një gjë e vdekur; ne duhet të mbushemi edhe me frymën e jetës hyjnore.
Kjo jetë është e mistershme. Qarkullimi i ujit është një gjë e pakuptueshme për ne, ashtu siç është forca që e ngre lart apo ajo që e zbret sërish poshtë. Kështu, edhe jeta brenda nesh është një mister i shenjtë. Rilindja është vepër e kryer nga Fryma e Shenjtë kur Ai hyn brenda njeriut dhe bëhet jeta e tij; dhe kjo jetë hyjnore brenda besimtarit më pas ushqehet me Krishtin, dhe kështu mbahet gjallë me ushqim hyjnor, por kush mund të na e shpjegojë vallë se nga vjen e ku shkon?
Ç’gjë e fshehtë është uji! Rrënjët shtrihen thellë e më thellë brenda dheut, por nuk arrijmë dot ta shohim se si i thithin gazrat e ndryshme, apo se si i shndërrojnë mineralet në perime; kjo vepër është e padukshme. Rrënja jonë është Krishti Jezus, dhe jeta jonë është e fshehur në Të; kjo është e fshehta e Zotit. Burimi i jetës së krishterë është po aq i fshehtë sa edhe vetë jeta.
Sa çudi me ujin te cedri, ai është përherë në veprim! Jeta hyjnore tek i krishteri është vazhdimisht plot me energji—jo vetëm duke dhënë fryte, por edhe në veprimtaritë e brendshme. Hiret e besimtarit nuk janë që të gjitha në lëvizje të vazhdueshme, por jeta e tij nuk pushon kurrë së rrahuri përbrenda. Megjithëse nuk punon gjatë gjithë kohës për Perëndinë, zemra e tij jeton përherë në Të. Ashtu siç shfaqet uji në prodhimin e gjetheve dhe të frutave të pemës, kështu ndodh edhe me të krishterin që është vërtet i shëndetshëm, sepse hiret e tij shfaqen në mënyrat e sjelljes dhe të të folurit. Në qoftë se bashkëbisedon me të, tema e bisedës do të sillet nga do të sillet, por do të përfundojë te Jezusi. Në qoftë se i vëren veprimet e tij, do ta dallosh se ka qenë me Jezusin. Ai është kaq i mbushur me Krishtin, saqë Ai shfaqet në sjelljen dhe të folurit e tij.
© dritez.al 2024