spurgeon dev 24 pm
October 2023

[Ai]…filloi të lante këmbët e dishepujve…

Gjoni 13:5

Zoti Jezus i do njerëzit e Vet kaq shumë, saqë ditë për ditë, Ai vazhdon të bëjë për ta shumë gjëra që janë të ngjashme me larjen e këmbëve të tyre të papastra. Ai i pranon edhe veprat e tyre më të dobëta; ndien pikëllimin e tyre më të thellë; dëgjon dëshirën e tyre më të vogël, madje fal çdo shkelje të tyre. Ai është ende shërbëtori i tyre, si edhe Miku dhe Zoti i tyre. Ai jo vetëm që bën vepra të madhërishme për ta, kur, i veshur me gjithë petkat priftërore dhe në funksionin e Tij si Kryeprift, Ai çohet dhe ndërhyn për ta, por, po ashtu, me përulësi dhe me durim shkon nga njëri te tjetri me legen dhe peshqir në dorë. Ai e bën këtë kur largon prej nesh ditë për ditë dobësitë dhe mëkatet tona të vazhdueshme.

Tek u përgjunje mbrëmë, rrëfeve vajtueshëm se një pjesë e mirë e sjelljes sate nuk ishte e denjë për besimin që shpall; madje edhe sonte duhet të vajtosh sërish, pasi ke rënë në të njëjtën marrëzi dhe mëkat, prej të cilëve hiri i veçantë të çliroi shumë kohë më parë. E megjithatë, Jezusi tregon shumë durim ndaj teje. Ai do ta dëgjojë rrëfimin tënd të mëkatit; Ai do të thotë: “Po, unë dua—qofsh i pastruar!”. Ai do të të lajë përsëri me gjakun e spërkatjes, do ta paqëtojë ndërgjegjen tënde dhe do të të heqë çdo njollë. Është një vepër madhështore e dashurisë së përjetshme ajo që kryen Krishti, kur ia shlyen mëkatet një herë e përgjithmonë mëkatarit dhe e birëson në familjen e Perëndisë; mirëpo, sa më i madh është durimi i Shpëtimtarit kur i përballon me shumë përvuajtje marrëzitë e përsëritura të dishepullit të Tij të pabindur, ditë për ditë dhe orë pas ore, duke i larë shkeljet e shumta të fëmijës së Tij që gabon, por të cilin e do shumë! Të thash ujërat e rebelimit është një mrekulli e vërtetë, por të durosh pikëzimin e vazhdueshëm të shkeljeve të përsëritura, të përballosh sprovimin e përsëritur të durimit, kjo po që është vërtet hyjnore! Tek gjejmë përdëllim dhe paqe në pastrimin e përditshëm që na bën Zoti ynë, ndikimi logjik që ky pastrim do të ketë mbi ne, do të jetë rritja e vigjilencës dhe zgjimi i dëshirës sonë për shenjtëri. A është kështu vallë edhe për ty?


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin
>