Në fakt unë kisha turp t’i kërkoja mbretit një rojë ushtarësh dhe kalorësish, që të na mbronte nga armiku gjatë udhëtimit, sepse i kishim thënë mbretit: “Dora e Perëndisë tonë është mbi të gjithë ata që e kërkojnë për të mirën e tyre, por fuqia e tij dhe zemërimi i tij janë kundër të gjithë atyre që e braktisin”.
Ezdra 8:22
Për arsye të ndryshme, një shpurë ushtarësh dhe kalorësish do të kishte qenë e dëshirueshme për çetën e shtegtarëve, por Ezdra kishte turp ta kërkonte një të tillë. Ai druhej se mos mbreti pagan mendonte që shpalljet e tij të besimit në Perëndinë ishin thjesht hipokrizi, ose mund t’i shkonte ndër mend që Perëndia i Izraelit nuk ishte në gjendje t’i mbronte adhuruesit e Vet. Për të ishte diçka e pakonceptueshme të mbështetej në mjete njerëzore për një problem që kishte të bënte kaq qartësisht me Zotin, dhe për rrjedhojë, karvani u nis pa ndonjë shpurë të dukshme mbrojtëse, dhe prapëseprapë, i ruajtur nga Ai që është shpata dhe mburoja e popullit të Vet.
Druhem se pak besimtarë e ndiejnë këtë xhelozi të shenjtë për Perëndinë; madje edhe ata që ecin relativisht me besim, herë pas here e prishin shkëlqimin e jetës së tyre duke kërkuar ndihmë nga njeriu. Nuk ka bekim më të madh sesa të ecësh pa paterica a ndihma të tjera, dhe të qëndrosh drejt mbi Shkëmbin e Përjetshëm, mbajtur vetëm nga Zoti. A do ta kërkonin vallë besimtarët ndihmën e shtetit për financimin e kishës së tyre nëse do t’i kujtonin vetes se Zoti çnderohet kur ata kërkojnë ndihmën e Cezarit? Sikur Zoti të ishte i paaftë t’i përmbushte nevojat e vetë kauzës së Tij! A do të rendnim vallë kaq shpejt për të kërkuar ndihmë te miqtë a të afërmit tanë, nëse do t’i kujtonim vetes se Zoti përlëvdohet kur mbështetemi qartazi vetëm në krahun e Tij? Shpirti im, mbaji shpresat e tua vetëm në Perëndinë!
“Por”, mund të thotë dikush, “vallë, a nuk duhen shfrytëzuar asnjëherë mjetet?” Sigurisht që po, por gabimi ynë rrallë ka të bëjë me lënien e tyre pas dore: shumë më shpesh, ai buron nga besimi i marrë në to, në vend që të besojmë në Perëndinë. Disa shkojnë tepër larg dhe e shpërfillin ndihmën e njeriut; mirëpo, shumë të tjerë mëkatojnë jashtë mase duke i dhënë më tepër rëndësi sesa duhet.
Mëso, pra, lexues i dashur, ta përlëvdosh Zotin duke mos i përdorur mjetet e tjera, atëherë kur përdorimi i tyre do ta çnderonte emrin e Zotit!
© dritez.al 2024