Unë flija, por zemra ime përgjonte.
Kënga e Këngëve 5:2
Jeta e krishterë gëlon nga paradokset, dhe ja ku kemi njërin prej tyre: bashkëshortja flinte, dhe megjithatë përgjonte. Vetëm ai që e ka përjetuar këtë gjë, mund t’i japë përgjigje gjëegjëzës së besimtarit. Dy pikat e vargut të sotëm janë: një përgjumje vajtuese dhe një zgjim shpresëplotë. “Unë flija.” Mëkati që banon brenda nesh, mund të na shtyjë që t’i kryejmë detyrat tona të shenjta shkel e shko, mund të na bëjë përtacë në ushtrimet frymërore, të ftohtë në gëzimet tona frymërore dhe krejtësisht dembelë e të shkujdesur.
Kjo është një gjendje e turpshme për dikë brenda të cilit banon Fryma jetëdhënëse; madje është e rrezikshme në shkallën më të lartë. Edhe virgjëreshat e mençura i zë gjumi ndonjëherë, por ka ardhur koha që të gjithë t’i këpusin vargonjtë e përtacisë. Duhet t’i druhemi faktit që shumë besimtarë e humbasin forcën e tyre, ashtu si Sansoni humbi flokët e tij, ndërkohë që flinte në prehrin e sigurisë së mishit. Duke pasur përreth nesh një botë që po rend drejt humbjes, do të ishte mizore po të flinim; madje do të ishte një marrëzi e vërtetë, duke e ditur se përjetësia është kaq pranë.
E megjithatë, asnjë nga ne nuk është aq zgjuar sa duhet; disa bubullima do të na bënin mirë të gjithëve, madje mund të ndodhë që, po të mos zgjohemi në kohë, ato do të na godasin një ditë në formën e luftës, sëmundjes apo të humbjeve dhe pikëllimeve personale. Le ta lëmë përgjithnjë shtratin e rehative të mishit dhe të rendim me pishtarë të ndezur për të takuar Dhëndrin që po vjen! “Zemra ime përgjonte.”
Kjo është një shenjë e lumtur. Jeta nuk është shuar ende, edhe pse mjerisht i është zënë fryma. Kur zemrat tona të rilindura përleshen me rëndesën e natyrës së vjetër, duhet t’i jemi mirënjohës hirit sovran që ruan pak forcë jetësore brenda trupit tonë vdekatar. Jezusi do t’i dëgjojë, do t’i ndihmojë dhe do t’i vizitojë zemrat tona; sepse zëri i zemrës së zgjuar është në të vërtetë zëri i Shumë të Dashurit tonë, që thotë: “Hapma derën!”. Zelli i shenjtë me siguri do ta shkyçë portën.
Oh, ç’qëndrim i dashur! Ai qëndron
Zemërbutë dhe duarplot;
Shpirti im braktis çdo mëkat;
Dhe e lë të hyjë mysafirin qiellor.
© dritez.al 2024