Shkurt 2023

“Do të bëj të bjerë shiu në kohën e duhur, dhe do të jenë shira bekimi.”

Ezekiel 34:26

Ja ku e kemi mëshirën sovrane—“Do të bëj të bjerë shiu në kohën e duhur.” A nuk është kjo vallë një mëshirë hyjnore dhe sovrane? Sepse kush tjetër përveç Perëndisë mund të thotë: “Do të bëj të bjerë shiu”? Vetëm një zë mund t’u flasë reve dhe t’i bëjë ato të shtrydhin shiun. “Kush e dërgon shiun mbi tokë? Kush i shpërndan reshjet mbi barin e njomë? Vallë, a nuk jam unë Zoti që e bëj këtë?” Pra, hiri është dhurata e Perëndisë dhe nuk mund të krijohet nga dora e njeriut. 

Mirëpo, ai është edhe hir i nevojshëm. Çfarë do të bënte toka pa shira? Ti mund ta plugosh tokën, të mbjellësh farat e tua, por çfarë mund të bësh nëse nuk bie shi? Edhe bekimi hyjnor është po aq absolutisht i domosdoshëm. Më kot përpiqesh, nëse Perëndia nuk dhuron shiun dhe nuk dërgon poshtë shpëtimin. 

Për më tepër, ai është hir i bollshëm. “Do të bëj të bjerë shiu.” Nuk thotë: “Do të bëj të bien pika”, por thotë “të bjerë shiu”. Po kështu ndodh edhe me hirin. Kur Perëndia jep një bekim, Ai zakonisht e jep atë në një masë të tillë, saqë nuk ka vend të mjaftueshëm për ta nxënë. Hir me bollëk! Na duhet hir me bollëk që të mbetemi të përulur, që të na bëjë të devotshëm në lutje dhe që të na bëjë të shenjtë; hir me bollëk që të na bëjë të zellshëm, që të na ruajë në këtë jetë dhe që të na çojë në qiell. Nuk bëjmë dot pa reshjet e bollshme të hirit. 

Po ashtu, ai është hir që derdhet në kohën e duhur. “Do të bëj të bjerë shiu në kohën e duhur.” Çfarë kohe po kalon sot? Mos është vallë koha e thatësirës? Atëherë ka ardhur koha për shira. A mos është një kohë rëndese e madhe dhe resh të zeza? Atëherë ka ardhur koha për reshje. “...dhe forca jote vazhdoftë sa janë ditët e tua” (Ligji i Përtërirë 33:25).

Dhe ja ku kemi një bekim të larmishëm. “Dhe do të jenë shira bekimi.” Fjala “shira” është në shumës, sepse Perëndia do të dërgojë bekime të çdo lloji. Të gjitha bekimet e Perëndisë vijnë së bashku, ashtu si hallkat në një varëse të artë. Nëse Ai të jep hir që të kthen në besim, do të japë edhe hir ngushëllues. Me siguri do të dërgojë “shira bekimi” mbi ty. Ngrije shikimin lart sot, o bimë e përzhitur, dhe hapi gjethet e lulet për një ujitje qiellore!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin