Shkurt 2023

“O ZOTI i ushtrive, deri kur do të vazhdosh të mos kesh mëshirë për Jerusalemin...?” Pastaj ZOTI i tha disa fjalë të mira, fjalë ngushëlluese, engjëllit që fliste me mua.

Zakaria 1:12-13

Ç’përgjigje e bukur për një pyetje kaq të ethshme! Le të gëzohemi në të sonte. O Sion, të presin gjëra të mira; koha jote e mundimeve do të mbarojë shpejt; fëmijët e tu do të çlirohen dhe robëria jote do të marrë fund. Përballoje me durim purtekën për një kohë dhe vazhdo të besosh te Perëndia në mes të errësirës, sepse dashuria e Tij për ty është e zjarrtë! 

Perëndia e do kishën me një dashuri kaq të thellë, saqë imagjinata njerëzore nuk e kap dot. Ai e do atë me gjithë zemrën e Tij të pafundme. Prandaj, le të marrin zemër bijtë e saj, sepse nuk duhet të jetë larg mbarësisë ajo të cilës Perëndia i flet “fjalë të mira, fjalë ngushëlluese”. Profeti vijon dhe na thotë: “Unë jam shumë xheloz për Jerusalemin dhe për Sionin.” Zoti e do kaq shumë kishën e Tij, saqë nuk ia bën zemra ta shohë atë të humbasë rrugën dhe të shkojë pas të tjerëve, dhe nëse kjo ka ndodhur, Ai nuk duron dot ta shohë atë të vuajë rëndë ose tej mase. 

Ai nuk do t’i lejojë armiqtë e kishës që t’i bëjnë keq asaj. Ai i ka ata halë në sy, sepse shtojnë mjerimin e saj. Kur duket se Perëndia vërtet po e braktis kishën, atëherë zemra e Tij digjet për të. 

Historia tregon se sa herë që Perëndia e përdor purtekën për të disiplinuar shërbëtorët e Tij, Ai e thyen atë me të mbaruar punë, a thua se e urren purtekën që i shkaktoi dhimbje fëmijëve të Tij. Ai e ndien dhimbjen shumë më tepër sesa njerëzit e Tij. “Ashtu si një baba është i mëshirshëm me bijtë e tij, kështu është i mëshirshëm ZOTI me ata që kanë frikë prej tij” (Psalmi 103:13).

Perëndia nuk na ka harruar për shkak se na godet. Në fakt, goditjet e Tij nuk janë dëshmi të mungesës së dashurisë. Në qoftë se kjo është e vërtetë për kishën e Tij në grup, atëherë është medoemos e vërtetë edhe për secilin anëtar të saj. Ti mund druhesh se mos Zoti të ka anashkaluar, por nuk është kështu. Ai që numëron yjet dhe i thërret ato me emër, nuk ka rrezik t’i harrojë fëmijët e Tij. Ai të njeh ty kaq mirë, sikur të ishe krijesa e vetme e krijuar prej Tij ose i vetmi shenjtor që Ai ka dashur ndonjëherë. Afroju Atij dhe rri i qetë!


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin