Por ndodhi që, ndërsa ai thoshte këto, një grua nga turma e ngriti zërin dhe i tha: “Lum barku që të barti dhe gjinjtë që të mëndën”. Por ai u tha: “Lum më tepër ata që e dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e ruajnë”.
Luka 11:27-28
Disa kanë përfytyruar plot dëshirë se fakti që Maria ishte nëna e Zotit tonë, duhet të ketë qenë një privilegj shumë i veçantë për të, pasi ata supozojnë se ajo kishte mundësinë të shihte brenda vetë zemrës së Tij në një mënyrë që ne nuk mund të shpresojmë të shikojmë. Kjo mund të jetë një hamendje e cila në pamje të parë duket shumë bindëse, por që realisht nuk është e tillë. Nuk e dimë nëse Maria dinte më shumë sesa të tjerët; ajo bëri mirë që atë që dinte e ruajti brenda zemrës saj; por nga sa lexojmë nëpër Ungjij, nuk duket të ketë qenë një besimtare e mësuar më mirë sesa ndonjë nga dishepujt e Krishtit. Gjithçka që Maria dinte, ne mund ta zbulojmë sot.
A habitesh vallë nga kjo? Ja ku është një varg që i mbështet fjalët tona: “Sekreti i ZOTIT u tregohet atyre që kanë frikë prej tij, dhe ai u bën të njohur atyre besëlidhjen e tij” (Psalmi 25:14). Kujtoni edhe fjalët e Mjeshtrit—“Unë nuk ju quaj më shërbëtorë, sepse shërbëtori nuk e di ç’bën i zoti; por unë ju kam quajtur miq, sepse ju bëra të njihni të gjitha sa dëgjova nga Ati im” (Gjoni 15:15).
Zbuluesi Hyjnor i sekreteve na e shpalos zemrën e Tij, dhe nuk mban të fshehtë asnjë nga gjërat që janë të dobishme për ne. Sigurimi i Tij është ky: “...përndryshe do t’ju thosha…” (Gjoni 14:2). A nuk na shfaqet Ai neve sot ashtu si nuk i shfaqet botës? Dhe duke qenë se Ai e bën këtë, ne nuk do të thërrasim plot padije: “Lum barku që të barti”, por, me shumë mençuri, do ta bekojmë Perëndinë që, pasi e kemi dëgjuar fjalën dhe e kemi fshehur atë në zemër, së pari, kemi një përbashkësi po kaq të vërtetë me Shpëtimtarin sa edhe nëna e Tij; dhe, së dyti, zotërojmë një njohje po kaq të vërtetë të sekreteve të zemrës së Tij, sa mund të mendohet se pati fituar ajo. Lum shpirti që e gëzon këtë privilegj!
© dritez.al 2024