spurgeon dev 24 qershor pm
Qershor 2023

Shadraku, Meshaku dhe Abed-Negoja iu përgjigjën mbretit, duke thënë: “... dije, o mbret, që ne nuk do t’u shërbejmë perëndive të tua.”

Danieli 3:16, 18

Rrëfimi i guximit burrëror dhe çlirimit të mrekullueshëm të këtyre tre fëmijëve të shenjtë, ose më saktë të tre kampionëve të shenjtë, ka për synim të nxisë në mendjet e besimtarëve qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë në lartësimin e së vërtetës, madje edhe kur janë në dhëmbët e tiranisë ose në vetë kthetrat e vdekjes. Ja një shembull i mrekullueshëm veçanërisht për të krishterët e rinj, që u mëson atyre se, kur vjen puna te vënia e besimit në praktikë, ata nuk duhet ta flijojnë kurrë ndërgjegjen e tyre. Më mirë të humbësh gjithçka, sesa të humbësh integritetin, madje kur të kesh humbur gjithçka, shtrëngoje ende fort ndërgjegjen e pastër, si xhevahirin më të rrallë që mund të stolisë kraharorin e një vdekatari. Mos u drejto nga dobia, por nga autoriteti hyjnor! Ndiqe të drejtën përkundër çdo rreziku! Kur sheh se nuk ke asnjë përfitim, ec me anë të besimit dhe jo me anë të shikimit. Nderoje Perëndinë, duke pasur besim tek Ai, kur vjen puna për të humbur për hir të parimeve! Shih nëse Ai do të të mbetet borxhli për këtë! Pa shiko nëse Ai nuk do ta vërtetojë fjalën e Tij edhe në këtë jetë, që “perëndishmëria është një mjet që sjell dobi të madhe, kur njeriu kënaqet me aq sa ka” (1 e Timoteut 6:6), dhe se, atyre që “para së gjithash kërkojnë mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij … të gjitha këto do t’ju shtohen” (Mateu 6:33).

Nëse ndodh që, në provaninë e Perëndisë, humbet për hir të ndërgjegjes, do të zbulosh se në mos të shpërbleftë me argjendin e begatisë tokësore, Zoti do ta mbajë premtimin e Tij për të të shpërblyer me arin e gëzimit frymëror. Dije mirë se jeta e njeriut nuk varet nga bollëku i pasurive të tij.

Pasja e një shpirti të çiltër dhe e një zemre të paqortueshme, pasja e favorit dhe buzëqeshjes së Perëndisë, janë pasuri shumë më të mëdha se gjithë ari dhe diamantet e botës. “Më mirë një pjatë perime me dashuri sesa një ka i majmur me urrejtje” (Fjalët e Urta 15:17). Një gram kënaqësie vlen më shumë sesa një ton ari.


© dritez.al 2024

EtiketaDevocione, Spurgeon

Autor 

Redaktori

Postime të ngjashme

30 dhjetor, mëngjes – Prite fundin