“Për shkak të gjithë kësaj, ne marrim një zotim të vendosur.”
Nehemia 9:38
Ka shumë raste në përjetimin tonë kur, me shumë të drejtë dhe për fitimin tonë, mund ta ripërtërinim besëlidhjen me Perëndinë. Pas shërimit nga një sëmundje, kur edhe jetës sonë, ashtu si asaj të Ezekias, i është shtuar një numër vitesh, ne mund ta bëjmë siç duhet këtë gjë. Pas çdo çlirimi nga një situatë e vështirë, kur gëzimet tona lulëzojnë sërish, le të shkojmë përsëri te këmbët e kryqit dhe ta ripërtërijmë përkushtimin tonë! Mirëpo, le ta bëjmë këtë sidomos pas çdo mëkati që e ka trishtuar Frymën e Shenjtë, ose e ka çnderuar kauzën e Perëndisë! Pastaj, le t’i mbajmë sytë tek ai gjak që mund të na bëjë më të bardhë se bora dhe le t’ia ofrojmë sërish veten Zotit tonë!
Mirëpo, përkushtimi ynë ndaj Perëndisë nuk duhet ripërtërirë vetëm në kohë të vështira, le të mos harrojmë ta bëjmë këtë edhe në kohë begatie! Nëse përballemi ndonjëherë me raste të cilat meritojnë të quhen “kurorëzime me mëshirë”, atëherë, me siguri që, nëse Ai na ka kurorëzuar, duhet që edhe ne ta kurorëzojmë Perëndinë tonë; le t’ia çojmë Atij sërish të gjitha xhevahiret e simboleve hyjnore, që janë ruajtur në kasafortën e zemrës sonë, dhe le të ulet Perëndia mbi fronin e dashurisë sonë, i stolisur me petkat mbretërore. Nëse do të mund të mësonim se si të përfitonim edhe më shumë nga kohët e begatisë, atëherë nuk do të na duhej të përballeshim me kaq shumë vështirësi. Nëse do ta përvetësonim deri në fund të mirën e një puthjeje, nuk do të na duhej t’i duronim kaq shpesh shenjat e ndëshkimit.
A kemi marrë vallë së fundi ndonjë bekim të cilin as që e kishim pritur? A na e ka hapur udhën Zoti ynë? A mund të këndojmë për mëshirat e Tij të shumëfishuara? Atëherë, kjo është dita kur do të bënim mirë t’i shtrëngonim fort brirët e altarit, duke thënë: “Lidhmë këtu, o Perëndia im; lidhmë fort me litarë, për jetë e mot!”. Ashtu siç kemi nevojë për përmbushjen e premtimeve të reja nga Perëndia, le të ofrojmë gjithashtu lutje të reja, me qëllim që t’i mbajmë zotimet e vjetra! Këtë mëngjes, le të bëjmë një besëlidhje të vendosur me Të, për shkak të flijimit të Jezusit, të cilin e kemi shqyrtuar me mirënjohje gjatë muajit të fundit.
© dritez.al 2024